Ish-ministri Pal Lekaj dënohet me 3 vjet e 8 muaj burgim për rastin “53-milionëshi”
Gjykata Themelore në Prishtinë edhe në rigjykim ka shpallur aktgjykimin ndaj ish-ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj nga radhët e Aleancës, duke e dënuar me 3 vjet e 8 muaj burgim për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar në rastin e njohur si “53-milionëshi”.
Ish-ministrit Lekaj po ashtu po ashtu i është caktuar dënim plotësues në kohëzgjatje prej 3 vite e 6 muaj ku i ndalohet ushtrimi i funksionit në administratën publike pas mbajtjes së dënimit me burgim.
Kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra tha: “...Gjykata konform rregullave të procedurës penale të pandehurit i gjykon: Të pandehurin Pal Lekaj i shqiptohet burgim në kohëzgjateje prej 3 vitesh e 8 muaj i cili dënim do të ekzekutohet në momentin kur aktgjykimi bëhet i formës së prerë, i caktohet edhe dënim plotësues në kohëzgjatje prej 3 vite e 6 muaj ku i ndalohet ushtrimi i funksionit në admininistratën publike pas mbajtjes së dënimit me burgim".
Ndërsa, të pandehurit Nebih Shatri, ish-sekretar i përgjithshëm i caktohet dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 vit e tetë muaj i cili dënim do të ekzekutohet në momentin kur aktgjykimi bëhet i formës së prerë.
Shatrit po ashtu i është caktuar edhe dënim plotësues në kohëzgjatje prej 2 vite ndalim i ushtrimit të funksionit në administratën publike dhe funksionet publike pas mbajtjes së dënimit me burg.
"Të pandehurit Nebih Shatri konform rregullave të Kodit penal të Republikës së Kosovës i caktohet edhe dënim plotësues në kohëzgjatje prej 2 vite ndalim i ushtrimit të funksionit në administratën publike dhe funksionet publike pas mbajtjes së dënimit me burg".
Edhe i pandehuri tjetër, Besim Tahiri, ish-drejtor i Prokurimit Publik u shpall fajtor dhe u dënua me 1 vit e 8 muaj burigm. Ndaj tij u shpall dënimi plotësues- ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratë publike për 2 vjet.
Ndërkaq, Eset Berisha, ish-këshilltar i lartë politik i ish-ministrit Lekaj i është shqiptuar dënim më burgim prej tri vite e tre muaj.
Edhe ndaj tij i është caktuar dënimi plotësues ndalimi i ushtrimit ë funksioni në administratën publike në kohëzgjatje prej 3 vitesh”.
Ndryshe, aktakuza ndaj tyre ishte ngritur më 4 shkurt 2022 nga Prokuroria Speciale.
Sipas aktakuzës, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik, akuzoheshin për keqpërdorim të detyrës zyrtare me rastin e ndarjes së 53 milionë eurove për konsorciumin “Bechtel &Enka”, për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit apo e njohur ndryshe si autostrada “Arbën Xhaferi”.
Të akuzuarit pretendohet se kanë vepruar “në bashkëveprim dhe me dashje” lidhur me ndarjen e 53 milionë eurove.
Gjykata Themelore në Prishtinë edhe më 31 janar 2024 i kishte shpallë fajtorë dhe i kishte dënuar me 10 vjet e 3 muaj burgim së bashku: Pal Lekajn, Eset Berishën, Nebih Shatrin dhe Besim Tahirin për këtë rast.
Por, Gjykata e Apelit e kishte kthyer në rigjykim. /Telegrafi/


