Please enter at least 3 characters.

Okupimi na bashkoi, çlirimi na largoi

Qysh prej përfundimit të Luftës Çlirimtare, dhjetë vjet më parë, ngjarje nga më të ndryshmet kanë ndodhur në Kosovë. Kemi parë përpos proceseve politike, edhe një proces social, i cili ka transformuar Kosovën dhe popullatën e saj në përmasa të habitshme. Ky proces shumë i ndërlikuar shoqëror, i nxitur nga tranzicioni i shfrenuar dhe etja apo edhe nevoja për liri, solli një individualizëm shumë të shprehur në vendin tonë. Si i tillë ky proces kërkon studime të thukta sociologjike, prandaj edhe unë se kam ndërmend të merrem me të kësaj radhe, por dua të prezantoj një aspekt shumë interesant i cili po e sajon politikën gjithandej ku ka shqiptarë. Largësia për të mos thënë hendeku shumë i madh që është hapur mes njerëzve të të njëjtit komb, dhe konturat rrethanore që kanë çuar deri aty.

Dihet mirëfilli se gjatë viteve të ’90-ta Kosova dhe shqiptarët në Federatën që e kishin ndërtuar Millosheviqi e Bullatoviqi ishin të pa emër, të pa identitet, dhe të pa qenë, veti këto kryesore të një regjimi klasik racist e pushtues. Pas hapjes së Shqipërisë politike gjërat filluan të ndryshojnë. Pluralizmi solli lëvizje njerëzish, mallrash dhe idesh dhe shqiptarët filluan të ndihen më të njehësuar, madje një njehsim i tillë çoi akademikët Rexhep Qosja e Teki Tartari për të krijuar një lëvizje politike, ekonomike, sociale, kulturore e mbi të gjitha shpirtërore për bashkimin e atdheut të shqiptarëve. Pak muaj më vonë pena e nderuar e Dritëro Agollit shkruante se fryti i bashkimit është mbjellë, sepse një llapjan e ka parë Myzeqenë, një pollogas e ka ndjerë Labërinë, një ulqinak e ka shijuar Mirditën, dhe një shkodran e ka përqafuar Prishtinën.

Me fillimin e reprezaljeve të hapura ndaj popullatës civile të Kosovës, në vitet 1997, vala e parë e të përndjekurve zuri Shqipërinë. Kjo valë vetëm sa u zgjerua në vitin 1998, dhe 1999 aq sa Shqipëria politike zemërgjerësisht dhe krahëhapur priti mbi gjysëm milioni njerëz nga trungu i njëjtë etnik. Ky përjetim tragjik dhe gjakatarë për ata që braktisnin vendlindjen e tyre pa e ditur se a do të kthehen ndonjëherë andej nga kanë ardhur, solli edhe bashkë-vëllazërimin më të madh që kombi ynë kishte pësuar ndonjëherë. Qytetarë nga të gjitha viset e Kosovës, gjendeshin anekënd Shqipërisë, dhe viseve shqiptare në Maqedoni, Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës, dhe kjo mbolli natyrshëm frytin e vlerave te vëllazërisë dhe të ndjenjës së të qenit pjesë e një grupimi shoqëror, etnik, dhe kulturor. Fijet e këtij bashkë-vëllazërimi u zgjatën edhe me rastin e luftërave për çlirim në Luginën e Preshevës dhe në Maqedoni, dhe në aspektin e brumosjes së ndjenjës kombëtare, ato u treguan po aq të shëndosha.

Megjithatë punët filluan të ndryshojnë me përfundimin e këtyre luftërave dhe një largim i heshtur filloi që të paraqitet në shoqëritë tona.
Marrë nga çfarëdo këndvështrimi, mund të thuhet se politika dhe vetëm ajo është fajtore për këtë. Proceset politike që filluan me mijëvjeçarin e ri, sollën vetëm shpërbërje të bashkë-vëllazërisë shqiptare si pasojë e të kuptuarit keq të interesave nga ana e politikë-bërësve. Kështu interesat kombëtare u anashkaluan për interesa rajonale, ndërsa çështja kombëtare u shpërfill dhe u përbuz aq sa sot kushdo që e përmend atë etiketohet si nacionalist, radikal apo edhe ekstremist.

Ndryshe ndodh ndërkaq me Serbinë, ku strumbullari i politikës së jashtme vazhdon të mbetet çështja kombëtare serbe, edhe pse ky vend agresor nuk e heq nga rendi i ditës çështjen kombëtare. Këtu mbase duhet marrë edhe pak mësim nga politika dinake e Beogradit? Politikanët serbë, megjithëse të qortuar nga bashkësia ndërkombëtare, asnjëherë se kanë lënë çështjen kombëtare tu rrëshqas nga duart, dhe sot kur ata të flasin për ndarje të Kosovës, dhe shpërbërje të Bosnjës, paraqiten sikur po sjellin politika karizmatike. Imagjino sikur një politikan shqiptar nga Prishtina, Tirana, Shkupi, Presheva apo Ulqini të bënte deklarata të tilla, çfarë reagimi do të kishte pasur kundër tyre!

Ka tendenca për të treguar se punët do të vazhdojnë kështu siç janë edhe në të ardhmen e afërt, sepse politika shqiptare pavarësinë e cunguar të Kosovës, po e konsideron si zgjidhje të plotë të çështjes shqiptare. Kështu në këtë drejtim të gabuar po shkojnë edhe të gjitha subjektet politike pjesëmarrëse në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit në Shqipërinë politike. Përderisa në premtimet e tyre partitë, çajnë male e thajnë oqeane, asnjë prej tyre, madje as edhe ato me sfond nacionalist, nuk e përmendin çështjen kombëtare. Përjashtim këtu bën një parti e ngritur nga çamët, e cila mjaftohet me kontestin kombëtar me propagandë rreth kthimit të pronave në Greqi.

Duke pasur parasysh këtë çështje, pashmangshëm lind pyetja: përpara se të integrohemi me qipriotët mesdhetarë, estonezët baltikë, rumunët karpatianë, apo portugezët iberikë, a nuk do të ishte më mirë që shqiptarët të integrohen bashkë-vëllazërisht, e që pastaj si një trup i tërë të nisim integrimet me gjithë Evropën e bashkuar.
Pikërisht për këtë duhet pyetur: a na do neve Evropa të ndarë, apo nuk e duam ne veten të bashkuar?!.

(Autori është ligjërues i shkencave politike në Universitetin Glasgow në Britaninë e Madhe)