Please enter at least 3 characters.

"Oferta më e keqe që kemi marrë" - Ramos dështon ta blej Sevillen

Sevilla ka refuzuar një ofertë për blerjen e klubit nga një grup investitorësh i udhëhequr nga ish-kapiteni i skuadrës, Sergio Ramos.

Sipas mediumit spanjoll Marca, drejtuesit e klubit andaluzian e konsideruan propozimin si të papranueshëm dhe si ofertën më të keqe që kanë marrë ndonjëherë.

“Është oferta më e keqe që kemi marrë ndonjëherë. Ata donin ta blinin Sevillan për 100 milionë euro”, citohet të kenë thënë burime nga klubi për Marcan.

Gazeta spanjolle thekson se, pavarësisht deklaratave të bëra nga Luis Carrion pas takimit të mbajtur në Hotel Sevilla Center, oferta e re e paraqitur nga grupi i Ramosit ndryshonte plotësisht nga marrëveshja paraprake mes palëve.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar në janar, blerësi kishte pranuar të merrte 85 për qind të aksioneve të klubit për 275 milionë euro, duke marrë gjithashtu përsipër një borxh prej 85 milionë eurosh dhe një rikapitalizim prej 80 milionë eurosh. Në total, operacioni kapte vlerën e 440 milionë eurove.

Megjithatë, propozimi i fundit parashihte investimin e vetëm 100 milionë eurove për blerjen e 32 mijë aksioneve, që përfaqësojnë rreth 18 për qind të klubit pas rikapitalizimit.

Kjo formulë do të linte jashtë marrëveshjes pjesën tjetër të aksionarëve të Sevillas, të cilët zotërojnë rreth 54 mijë aksione.

Sipas Marca-s, grupi i udhëhequr nga Sergio Ramos planifikonte më pas një rikapitalizim shtesë prej 120 milionë eurosh, që do t’u siguronte atyre rreth 42 për qind të aksioneve fillestare dhe kontrollin praktik të klubit.

Me këtë lëvizje, ata do të fitonin shumicën e aksioneve dhe do të kishin mundësi të kryenin rritje të tjera të kapitalit, duke ulur gradualisht ndikimin e aksionarëve të tjerë në klub. /Telegrafi/