OEK lëshon certifikatën e parë “Made in Kosova”, të njohur ndërkombëtarisht
Oda Ekonomike e Kosovës ka lëshuar sot certifikatën e parë të Origjinës “Made in Kosova”, sipas standardeve ndërkombëtare, pas pranimit në Rrjetin Ndërkombëtar të Dhomave të Tregtisë (ICC) për lëshimin e Certifikatave të Origjinës.
Certifikata e parë iu lëshua kompanisë FLUIDI Group, ndërsa dokumenti iu dorëzua përfaqësuesve të kompanisë nga kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna, dhe zëvendësministri i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Jeton Mehmeti.
Sipas OEK-ut, ky zhvillim përbën një hap të rëndësishëm për bizneset kosovare, pasi certifikatat e origjinës “Made in Kosova”, të lëshuara sipas standardeve ndërkombëtare, rrisin besueshmërinë e dokumentacionit tregtar dhe lehtësojnë procedurat e eksportit në tregjet ndërkombëtare.
Për kompanitë kosovare, certifikata pritet të mundësojë një proces më të standardizuar dhe më të besueshëm për dëshmimin e origjinës së produkteve.
OEK vlerëson se kjo mund të kontribuojë në forcimin e pozitës së bizneseve vendore në tregtinë ndërkombëtare dhe në zgjerimin e eksporteve.
“Përfshirja në rrjetin ndërkombëtar të ICC-së dhe lëshimi i certifikatave sipas këtyre standardeve paraqet një avancim të rëndësishëm në shërbimet që u ofrohen bizneseve dhe në mbështetjen e tyre për të operuar më lehtë në tregjet globale”, thuhet në njoftimin e OEK-ut.
Oda Ekonomike e Kosovës ka uruar FLUIDI Group për marrjen e certifikatës së parë “Made in Kosova”, duke i dëshiruar kompanisë sukses në zgjerimin e aktiviteteve dhe prezencës së saj në tregjet ndërkombëtare. /Telegrafi/


