Nxënësit serbë mësojnë histori të rreme
Janë shtetas të Kosovës, por për Kosovën mësojnë se është ‘pjesë e Serbisë’; mësojnë himnin serb, por jo atë kosovar; mësojnë poezi dhe këngë që përmbajnë gjuhë të urrejtjes, për shqiptarët mësojnë se kanë kryer gjoja 'gjenocid’ ndaj serbëve, ndërsa ilirët përmenden si “grabitqarë”.
Këto gjetje që bien ndesh jo vetëm me realitetin në terren, por edhe me Kushtetutën e Kosovës, sipas Komisionit të pavarur për rishikimin e kurrikulumit në shkollat serbe, u mësohen nxënësve serbë që nga klasa e parë e deri në përfundim të shkollës së mesme.
“Problemi më i madh i arsimimit në komunitetin serb në Kosovë është i lidhur me tekstet mësimore të historisë. Në këto tekste nuk ka asnjë shenjë të historisë së popullit shqiptar. Librat e historisë për të gjitha klasat e shkollës fillore janë në kundërshtim me parimet e barazisë etnike e fetare si dhe të tolerancës”.
“Librat e historisë janë me plot tekste, të cilat serbët dhe shqiptarët i paraqesin në pozitën e xhelatit dhe të viktimës, që direkt inkurajojnë konflikt ndëretnik”, ka thënë Radivoje Mancic, kryetar i Komisionit të pavarur, njofton REL.
Ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj tha se rekomandimet e Komisionit të pavarur për rishikimin e programeve mësimore në shkollat serbe do të shërbejnë për Ministrinë e Arsimit si bazë për krijimin e një kurrikulumi për nxënësit serbë, natyrisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
Vlerësime për raportin dha edhe shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Piter Feith, nën mbikëqyrjen e të cilit edhe është formuar Komisioni i pavarur. Ai tha se Komisioni ka
hartuar një raport që tregon hapat pozitivë përpara.
“Duhet të shtoj se ky raport mbështet obligimet që dalin nga Kushtetuta dhe Plani i Ahtisarit që kërkon zhvillimin e kurrikulumit të plotë në gjuhën serbe në pajtim me Kushtetutën e Kosovës”. /Telegrafi/


