Please enter at least 3 characters.

"Nuk do të ndalet kthimi i qytetarëve në veri", Fitore Pacolli dënon sulmin ndaj familjes Berisha në Zveçan

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, ka dënuar sulmin ndaj shtëpisë së familjes Berisha në Zveçan, duke thënë se asnjë akt barbar nuk do ta ndalë kthimin e qytetarëve në shtëpitë e tyre në veri të Kosovës.

Përmes një reagimi në Facebook, Pacolli ka thënë se sulmi është një akt i papranueshëm që synon të krijojë frikë dhe pasiguri te familjet shqiptare që po rikthehen në pronat e tyre.

“Dënoj ashpër sulmin e mbrëmshëm ndaj shtëpisë së familjes Berisha në Zveçan. Ky është një akt i papranueshëm që synon të krijojë frikë dhe pasiguri te familjet shqiptare që po rikthehen në pronat e tyre”, ka shkruar Pacolli.



Ajo ka bërë të ditur se familja Berisha është përfituese e projektit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për rindërtimin dhe renovimin e shtëpive.

“Këto sulme qyqare nuk do të ndalin as kthimin e familjeve dhe as zbatimin e projektit. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor do të vazhdojë me përkushtim realizimin e këtij programi, në çdo pjesë të Republikës së Kosovës”, ka deklaruar ministrja Pacolli.

Sipas saj, sulme të tilla kanë për qëllim pengimin e politikave shtetërore që garantojnë të drejtën e qytetarëve për t’u kthyer dhe për të jetuar në pronat e tyre.

Pacolli ka kërkuar nga organet kompetente që rasti të zbardhet sa më parë dhe autorët e sulmit të përballen me drejtësinë.