Please enter at least 3 characters.

Një veprim që tejkalon kufijtë e sportit: Një garues sakrifikoi një rekord personal dhe ndihmoi kundërshtarin që u rrëzua

Një moment prekës dhe i pazakontë shënoi Maratonën e Bostonit të këtij viti, kur dy vrapues treguan fytyrën e vërtetë të sportit dhe njerëzimit.

Garuesi Ajay Haridasse u rrëzua pranë vijës së finishit pas një gare të mundimshme prej 42.2 kilometrash. I rraskapitur dhe i dehidratuar dukshëm, ai u përpoq të ngrihej disa herë, por pa sukses, dhe në një moment ishte madje gati të zvarritej drejt vijës së finishit.

Në ato momente dramatike reaguan Aaron Beggs dhe Robson Oliveira, të cilët pa menduar e ndaluan garën e tyre për të ndihmuar kolegun e tyre. E ngritën nga toka dhe, duke u mbështetur në supet e tyre, e ndihmuan të bënte hapat e fundit dhe të përfundonte maratonën.

Haridasse më vonë pranoi se pa ndihmën e tyre ndoshta nuk do ta kishte përfunduar garën.

"Pas rënies së katërt, isha gati të zvarritesha. Në kilometrin e fundit, thjesht më mbaruan forcat", tha Haridasse për mediat, duke shtuar se planifikon të garojë përsëri vitin e ardhshëm.

Lëvizja e Oliveirës është veçanërisht mbresëlënëse, pasi ai sakrifikoi një rekord personal për të ndihmuar. Ai shpjegoi në rrjetet sociale se e mori vendimin në një çast të shkurtër.

"Isha disa metra larg kohës sime më të mirë, por pashë një burrë të rrëzohej. Mendova, nëse dikush tjetër ndalet, do të ndalem edhe unë", deklaroi Oliveira.


Për shkak të përpjekjeve që bëri për të ndihmuar, vetë Oliveira përfundimisht iu desh të kërkonte ndihmë mjekësore, por ai nuk ka asnjë keqardhje.

Pamjet e këtij momenti u bënë shpejt virale dhe mediat sociale u mbushën me mesazhe mbështetjeje. Shumë veta theksuan se momente të tilla tregojnë thelbin e sportit, se nuk ka të bëjë gjithmonë me fitoren, por me ndihmën e të tjerëve kur gjërat janë më të vështira. /Telegrafi/