Një objekt i përditshëm mund të jetë një burim i madh i përhapjes së sëmundjeve
Një ekspert i shkencave biomjekësore ka paralajmëruar se një send i përditshëm, që e prekim vazhdimisht pa e kuptuar, është një vend i përsosur për rritjen e baktereve. Dr. Gareth Nye, ligjërues në Universitetin e Salford, shpjegoi se rreziku rritet sidomos kur ky pajisje merret në tualet, sepse mund të vijë në kontakt me grimca feçesh.
Ai tha:
“Ekranet e telefonave janë një burim i madh përhapjeje sëmundjesh, sidomos nëse i përdorni në tualet. Shembulli më i qartë është vendosja e telefonit mbi tualet kur tërhiqni ujin.Tërheqja e ujit shpërndan grimca feçesh në ajër, të cilat mund të bien mbi telefon. Edhe nëse i lani duart, sa herë prekni telefonin, mund të transferoni patogjenë të rrezikshëm. Në thelb, çdo gjë që prekin gishtat tanë, përfundon shumë shpejt edhe në ekranin e telefonit, prandaj telefoni bëhet një vend ku shumohen mikrobe të dëmshme”.
Dr. Nye nuk është i vetmi që mendon kështu.
Dr. Lotti Tajouri, një tjetër shkencëtar biomjekësor, e përshkroi telefonin si “hotel me pesë yje” për mikrobet, në një studim të vitit 2020.
Studimi, i udhëhequr nga Bond University në Australi, analizoi 56 studime nga 24 vende dhe zbuloi se telefonat mbajnë shumë lloje mikrobesh. Ndër më të zakonshmit u gjetën E. coli, që zakonisht përhapet nga ndotjet fekale dhe ushqimi i pazier mirë, dhe Staphylococcus aureus. Të dyja mund të shkaktojnë infeksione të ndryshme, madje edhe pneumoni në raste të rënda.
Dr. Tajouri shpjegoi:
“Ne i mbajmë telefonat në xhep, flasim me ta, u hedhim pika pështyme, i përdorim ndërkohë që hamë – pra u japim mikrobeve nxehtësi dhe ushqim. Dhe askush, absolutisht askush, nuk e pastron telefonin e vet”.
Ai shtoi:
“80% e infeksioneve lidhen me duart. Edhe nëse i lani duart vazhdimisht – gjë që duhet ta bëni – nëse prekni një telefon të ndotur, i ndotni përsëri. Mendoni telefonin si dorën tuaj të tretë”.
Për këtë arsye, ekspertët këshillojnë ta pastroni rregullisht telefonin. Sipas revistës Which?, pecetat me 70% alkool janë një nga mënyrat më të sigurta, duke shmangur hapjet si portat e kufjeve ose altoparlantët.
Në tetor, studiuesi Adam Speight nga Which? rekomandoi:
“Këshilla për pastrim vlen edhe për ata që përdorin kapak (case) telefoni. Nëse kapaku shërben edhe si portofol për karta ose para, duhet pastruar po aq shpesh”.


