Please enter at least 3 characters.

Një nxënës i Artetës pas armës së fortë të Arabisë Saudite: Uruguai e ndjeu, Spanja paralajmërohet

Grupi H i Kupës së Botës 2026 ka nisur si një nga më interesantët dhe më të ekuilibruarit e turneut.

Barazimet në ndeshjet Kepi i Gjelbër – Spanjë dhe Uruguai – Arabia Saudite kanë lënë gjithçka të hapur në një grup ku spanjollët dhe uruguaianët konsideroheshin favoritët kryesorë për kualifikim.

Uruguai nuk arriti të shmangte surprizën ndaj Arabisë Saudite, duke shpëtuar vetëm një pikë falë golit të Maximiliano Araújos në minutat e fundit.

Edhe pse skuadra e Marcelo Bielsës dominoi pjesën e dytë, Arabia Saudite i shkaktoi shumë probleme, sidomos gjatë 45 minutave të para.

Madje, sauditët kaluan në epërsi falë një goli të realizuar nga Abdulelah Al-Amri në minutën e 41-të, pas një goditjeje nga këndi.


Goli nuk ishte rastësi

Goli i Al-Amrit ishte rezultat i një pune të gjatë dhe të detajuar në goditjet standarde. Në fakt, vetëm pak minuta para golit, i njëjti lojtar kishte rrezikuar seriozisht portën e Uruguait, por Fernando Muslera kishte bërë një pritje vendimtare.

Kërcënimi i vazhdueshëm i Arabisë Saudite nga goditjet e këndit dhe situatat e topave të ndalur ishte një nga armët më të forta të skuadrës dhe pas kësaj pune qëndron një emër i njohur në futbollin evropian – Nicolas Jover.

“Truri” i goditjeve standarde te Arsenali

Jover, bashkëpunëtor i ngushtë i Mikel Artetës te Arsenali dhe përgjegjës për goditjet standarde te klubi londinez, konsiderohet një nga specialistët më të mirë në botë në këtë aspekt të lojës.

Nën drejtimin e tij, Arsenali është shndërruar në një nga skuadrat më të rrezikshme në Evropë nga goditjet standarde.

Vetëm gjatë sezonit të fundit në Ligën Premier, “Topçinjtë” realizuan 25 gola nga situata të tilla, duke qenë ndër ekipet më efikase në kontinent.

Bashkëpunoi me Arabinë Saudite para Botërorit

Sipas medias saudite Ridayiya TV, Jover ka bashkëpunuar me kombëtaren e Arabisë Saudite gjatë muajve shtator dhe tetor të vitit 2025.

Ai ndihmoi stafin teknik në përgatitjen e skuadrës për ndeshjet vendimtare të fazës së play-offit kontinental për Kupën e Botës kundër Irakut dhe Indonezisë, në periudhën kur kombëtarja drejtohej ende nga Roberto Mancini.

Edhe pse më pas pati ndryshime në bankinë, puna e bërë nga Jover vazhdon të japë fryte. Arabia Saudite tregoi kundër Uruguait se është kthyer në një skuadër shumë e rrezikshme në situatat e topit të ndalur.

Spanja në alarm para sfidës së radhës

Pas barazimit surprizues ndaj Uruguait, Arabia Saudite do të përballet me Spanjën në ndeshjen e dytë të grupit.

Duke parë problemet që sauditët i shkaktuan mbrojtjes uruguaiane nga goditjet standarde, spanjollët do të duhet të tregojnë kujdes maksimal ndaj një arme që po rezulton gjithnjë e më efektive.

Nëse Uruguai e ndjeu fuqinë e kësaj strategjie, Spanja mund të jetë viktima e radhës e një skuadre që po fiton gjithnjë e më shumë besim në skenën botërore. /Telegrafi/