Please enter at least 3 characters.

Një grup i deputetëve të PE-së i shkruajnë Ursula von der Leyen, kërkojnë që Kosovës t’i hiqen masat menjëherë

Foto: Arkiv

Një grup i deputetëve të Parlamentit Evropian (MEP) i kanë dërguar një letër Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Komisioneres për Zgjerim, Marta Kos, duke i bërë thirrje që të heqin menjëherë të gjitha masat e vendosura ndaj Kosovës.

Kështu ka bërë të ditur raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Riho Terras, në një postim në platformën X.

Terras ka postuar po ashtu letrën që i është drejtuar presidentes së KE-së dhe komisioneres për zgjerim, të premten më 19 dhjetor.

“Ne, deputetët e nënshkruar të Parlamentit Evropian, kërkojmë heqjen e menjëhershme të masave ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës në vitin 2023. Masat që Komisioni Evropian i hartoi dhe i vendosi ndaj Kosovës kanë qenë të padrejta, joproporcionale dhe kundërproduktive që nga fillimi. Ato nuk kanë pasur asnjë qëllim real që nga momenti i vendosjes, dhe Bashkimi Evropian nuk ka arritur asgjë me këto masa përveçse një rënie të opinionit publik në Kosovë ndaj Bashkimit Evropian.

Ndikimi negativ i masave të Bashkimit Evropian në shoqërinë e Kosovës është jashtëzakonisht i thellë dhe ndihet në shumë fusha të ndryshme të jetës. Organizatat e shoqërisë civile, sektorët kulturorë dhe arsimorë, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, sektori i energjisë dhe shumë të tjerë po vuajnë nga këto masa të panevojshme”, thuhet në letër.

Tutje thuhet se ndikimi i masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndihet kryesisht në jetën lokale.

“Ndëshkimi i popullit të Kosovës përmes masave të tilla duhet të ndalet duke i hequr 100% të masave. Heqja e 50% të tyre nuk është e mjaftueshme. Prandaj, i bëjmë thirrje Komisionit Evropian që menjëherë t’i japë fund këtyre masave. Kjo duhet të bëhet para zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës më 28 dhjetor 2025”, thuhet në letër. /Telegrafi/