Please enter at least 3 characters.

"Barna për shërimin e autizmit", nisin hetimet për Arianit Sllamnikun, flasin nga policia dhe prokuroria

Kanë nisur hetimet rreth rastit të Arianit Sllamniku i cili dyshohet se ka përdorë te fëmijët me autizëm medikamente që zakonisht janë të destinuara për kafshë, e jo për njerëz.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani ka thënë për Telegrafin se hetimet kanë nisur me autorizim të Prokurorisë Themelore në Gjilan.

Ndërkaq edhe përmes një njoftimi për media bëhet e ditur se: "Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan, përkatësisht Njësia e Hetimeve Rajonale në Gjilan, me autorizim të Prokurorisë së Shtetit, është duke ndërmarrë veprime fillestare hetimore në drejtim të veprave penale ‘'Ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike’' nga neni 256 i KPRK-së dhe ‘'Eksperimente të kundërligjshme mjekësore dhe testime të barnave'’ nga neni 257 i KPRK-së, me qëllim të verifikimit të rrethanave të rasteve të dyshuara që ndërlidhen me trajtim shëndetësor të ofruar nga personi Arianit Sllamniku".

Ndërkaq, në këtë njoftim po ashtu thuhet se: "Në kuadër të këtyre veprimeve, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjilan fton të gjithë qytetarët të cilët kanë pranuar shërbime shëndetësore apo konsulta me përdorim të ndonjë terapie apo medikamenti nga personi në fjalë dhe që konsiderojnë se janë dëmtuar në çfarëdo forme, qoftë materiale apo shëndetësore, që të paraqiten në ambientet e Njësia e Hetimeve Rajonale në Gjilan për intervistim me qëllim të zbardhjes të rrethanave të rastit".

Edhe nga Prokuroria Themelore në Gjilan kanë bërë të ditur për Telegrafin se policia është autorizuar të ndërmarrë veprimet hetimore në lidhje me rastin.

“Referuar kërkesës tuaj për informacion, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Gjilan konform Kodit të Procedurës Penale të Kosovës ka autorizuar Policinë për ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me rastin. Prokuroria Themelore në Gjilan do t'ju mbajë të informuar lidhur me veprimet tjera”, thuhet në përgjigje. /Telegrafi/