Ngritja e memorialëve për dëshmorët në Luginë është obligim kombëtar
Këtyre ditëve, iniciativa e B.L. të Rahovicës për ngritjen e një Memoriali Përkujtimor dhe Varrezave të Dëshmorëve të luftës së fundit 2000-2001, që pikërisht të bëhet në këtë fshat ka shfaqur opinione dhe debate nga më të ndryshmet, si nga përfaqësues të OVL UÇPMB-së, përfaqësues politik, veprimtarë, por edhe qytetarë të ndryshëm të këtij rajoni.
Padyshim, kjo iniciativë është shumë sublime dhe njëherësh tregon shkallën e vetëdijes së një kombi për respektin ndaj atyre që flijuan gjënë më të shtrenjtë jetën, por është edhe një obligim kombëtar e moral, si për faktorët e lartcekur, por edhe për të gjithë mbështetësit e lirisë së këtij populli, të cilët në këto troje kanë një autoktoni të lashtë.
Kjo iniciativë, jo vetëm që duhet mbështetur, por duhet ndihmuar dhe përkrahur me të gjitha format, që ky projekt madhor të jetësohet sa më parë dhe më mirë. Paraprakisht, për këtë projekt përkujtimor, në radhë të parë duhet të pajtohen familjarët e dëshmorëve, përfaqësuesit e OVL-UÇPMB, përfaqësuesit politik, si dhe veprimtarë e qytetarë të ndryshëm, të cilët do të kontribuonin në këtë drejtim.
Tani, zgjidhja për të është e lehtë, sepse kemi shembuj të shumtë të ngritjes së memorialëve përkujtimorë për dëshmorë nëpër Kosovë dhe nuk duhet shpenzuar shumë kohë dhe mund në gjetjen e modaliteteve të tyre.
Sa për ilustrim, në rajonin e Prishtinës, Varrezat e Dëshmorëve gjenden në Lagjen e Muhaxhirëve, apo te Përmendorja. Në rajonin e Drenicës, të gjithë dëshmorët e kësaj zone janë varrosur në Kompleksin Memorial të Prekazit, për rajonin e Prizrenit janë në Landovicë, në rajonin e Dukagjinit janë në Gllogjan dhe Koshare, në rajonin Nerodimes janë në Reçak, në rajonin e Kaçanikut janë në Fushën e Pajtimit, etj.
Po ashtu, edhe Presheva dhe Bujanoci duhet të kenë nga një vend të përbashkët për dëshmorët e tyre, sepse kujtimi për ta është misioni i shenjtë që duhet të shfaqim ndaj tyre. Dëshmorët e kombit simbolizojnë vlerat më të shndritshme të një kombi, por ata janë edhe udhërrëfyesit e lirisë dhe shpresës për një të ardhme më të mirë, sidomos për gjeneratat e mëvonshme.
Mirëpo, në këtë debat dhe iniciativë një shqetësim të vogël paraqet propozimi që ky memorial përkujtimor të bëhet domosdoshmërish në fshatin Rahovicë, për çka përfaqësuesit e lartpërmendur, por edhe individë me peshë dhe vlera kombëtare duhen të merren vesh për një propozim më të mirë të mundshëm dhe nuk duhet të ketë asnjë përçarje në këtë aspekt.
Por, përveç kësaj kishte edhe propozime tjera duke filluar nga ato, siç kemi lexuar nëpër disa mediume, si për shembull në aksion rrugorë Preshevë- Stacioni Hekurudhor, në fshatin Norçë, te Livadhi i Shenjtë, mbi Mëhallën e Alimetajve, apo në ndonjë lokacion të aksit të rrugës Preshevë-Gjilan, etj. Në bazë të këtyre propozimeve, më i mirë do të ishte mbi kodër në Lagjen e Alimetajve, sepse kjo është një hapësire, e cila vërtet i plotëson të gjitha kushtet, e cili jo vetëm që është afër Kuvendit Komunal, por njëherësh është pika më strategjike, e cila ka rëndësinë e saj të madhe historike.
Lufta e fundit në Luginë nuk guxon të merr karakter lokal, mëhallësh, fisesh, apo bajraktarësh, sepse dëshmorët kishin ra për një qëllim të madh, për lirinë dhe kauzën e pazgjidhur të kësaj popullate. Dhe, debatet e kësaj temë, në këto momente nuk duhet të shndërrohet në pikë prioritare, përkundër vlerës së madhe, sepse liria për të cilin ata kishin dhënë jetën ende nuk ka arritur, ndërsa regjimi i Beogradit këtë rajon e ka militarizuar skajshmërisht me forca të ndryshme.
Opinioni publik dhe politik i Luginës nuk duhet humbur shumë energji të panevojshme, sidomos në momentet kur janë hapur bisedat ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të cilat për Luginën janë shumë të rëndësishme, sepse nga kjo do të varet fati i tyre në të ardhmen. Nuk duhet pasur mosmarrëveshje, sepse nuk do t’i bënte nderë as dëshmorëve, por edhe as popullatës së kësaj ane dhe kjo mund të prodhojë përçarje të reja. Kjo do të ishte në kundërshtim me misionin e proklamuar.
Prandaj, këto propozime duhet të shqyrtohen me një racionalitet të thellë, sepse Lugina ka kapacitete kombëtare, intelektuale dhe njerëzore për zgjidhjen e saj të favorshme dhe të kënaqshme, si për dëshmorët, familjarët e tyre, përfaqësuesit e luftës, por edhe për popullatën e tanishme shqiptare dhe gjeneratat e ardhshme të këtij rajoni.


