Ngritet aktakuzë për vrasjen e Charlie Kirk – prokurori kërkon dënim me vdekje për Tyler Robinsonin
Është ngritur aktakuzë ndaj të dyshuarit për vrasjen e aktivistit konservator amerikan Charlie Kirk – Tyler Robinson ndërsa prokurori do të kërkojë dënimin me vdekje.
Robinson është akuzuar për shtatë vepra penale: vrasje e rëndë, shkaktim i rrezikut përmes përdorimit të armës së zjarrit, pengim i drejtësisë – zhvendosje e armës së zjarrit, pengim i drejtësisë – shkatërrim i rrobave, ndikim ndaj dëshmitarit – kërkimi ndaj shokut të dhomës që të fshijë mesazhet, ndikim ndaj dëshmitarit – urdhërimi i shokut të dhomës që të heshtë dhe kryerjen e një vepre të dhunshme në praninë e fëmijëve.
Prokurori i qarkut, Jeff Gray, me një shprehje të rëndë në fytyrë, deklaroi se zyra e tij synon të kërkojë dënimin me vdekje në këtë rast, shkruan BBC.
Sipas raportimeve, ishte pritur që prokuroria të ngrinte aktakuzë ndaj Robinsonit për vrasje të rëndë, përdorim të armës së zjarrit dhe pengim të drejtësisë – dhe këto akuza tashmë janë konfirmuar.
Megjithatë, sot Gray tha gjithashtu se Robinson do të akuzohet edhe për dy pika të tjera të ndikimit ndaj dëshmitarit, të lidhura me udhëzimet e dyshuara që i ka dhënë shokut të dhomës për të fshirë mesazhet dhe për të mos folur me policinë në rast se do të merrej në pyetje.
Prokurori njoftoi gjithashtu për një akuzë shtesë – kryerje e një akti të dhunshëm në praninë e një fëmije.
Charlie Kirk, një aktivist i njohur konservator dhe aleat i ngushtë i presidentit amerikan, Donald Trump, u vra me armë zjarri teksa po fliste në një ngjarje në Universitetin e Utah-s. /Telegrafi/


