Please enter at least 3 characters.

Nga futbolli i madh te futsalli – Agon Ramadani rrëfen rrugëtimin e tij mes dy botëve të sportit në “Arena e Yjeve”

Në episodin më të ri të podcastit “Arena e Yjeve”, mysafir ishte përzgjedhësi i kombëtares së Kosovës në futsall, Agon Ramadani. Ky episod realizohet me mbështetjen e sponsorit zyrtar Exfis.

Gjatë bisedës, Ramadani ndau disa nga momentet më të rëndësishme të jetës dhe karrierës së tij, duke kujtuar fillimet në futboll që në moshë të re.

Ai foli për kohën kur ishte pjesë e gjeneratave të reja te Prishtina dhe 2 Korriku, ku si fëmijë arriti të fitojë trofetë e parë dhe të rritet përkrah bashkëlojtarëve që më vonë u bënë emra të njohur të futbollit kosovar.

Një nga temat kryesore të episodit ishte edhe rrugëtimi i tij nga futbolli i madh drejt futsallit. Ramadani shpjegoi arsyet pse vendosi të ndryshojë disiplinë sportive, duke treguar se kjo periudhë i solli trofetë e parë si lojtar dhe një përvojë krejtësisht të re në karrierën e tij sportive.

Ai foli gjithashtu për ndjenjën e përfaqësimit të vendit, duke e cilësuar si “kulmin e çdo lojtari”. Ramadani ndau emocionet e tij si pjesë e kombëtares së Kosovës dhe Shqipërisë, duke theksuar rëndësinë dhe përgjegjësinë që vjen me fanellën kombëtare.

Në një tjetër moment interesant të bisedës, ai kujtoi periudhën kur arriti të fitojë trofe si lojtar-trajner, duke e quajtur atë “trofeu më i ëmbël” të karrierës së tij, për shkak të sfidave dhe përgjegjësisë së dyfishtë në fushë dhe jashtë saj.

Në fund të episodit, Ramadani ndau edhe parashikimet e tij për futbollin vendor, duke diskutuar se cilat skuadra nga Liga e Parë mund të inkuadrohen në Superliga e Kosovës në sezonin e ardhshëm, duke ofruar analizën e tij si një njohës i mirë i futbollit kosovar.

Episodin e plotë me Agon Ramadanin mund ta ndiqni në kanalin zyrtar të Telegrafit në YouTube./Telegrafi/