Please enter at least 3 characters.

Nepali emëron kryeministren e parë grua pas trazirave vdekjeprurëse

Ish-kryetarja e Gjykatës së Lartë të Nepalit, Sushila Karki, është bërë kryeministrja e përkohshme e vendit, pasi protestat vdekjeprurëse kundër korrupsionit rrëzuan qeverinë.

73-vjeçarja u betua gjatë një ceremonie të shkurtër, duke u bërë gruaja e parë që drejton kombin, pasi u arrit një marrëveshje me udhëheqësit e protestave.

Më shumë se 50 persona u vranë në përleshjet me policinë gjatë protestave masive të kësaj jave, të nxitura nga një ndalim i platformave të rrjeteve sociale.

Ndalimi u hoq të hënën - por deri atëherë protestat ishin shndërruar në një lëvizje masive, shkruan BBC.

Turma të zemëruara i vunë flakën ndërtesave të parlamentit dhe qeverisë në kryeqytetin Katmandu duke e detyruar kryeministrin KP Sharma Oli të jepte dorëheqjen.

Më herët, këshilltari për shtyp i presidentit Ram Chandra Poudel kishte konfirmuar Karki do të bënte betimin e detyrës atë mbrëmje.

Marrëveshja midis presidentit dhe udhëheqësve të protestës u arrit pas disa ditësh konsultimesh.

Ekspertë ligjorë ishin gjithashtu të përfshirë.

Parlamenti u shpërbë vonë të premten dhe u njoftua se zgjedhjet e përgjithshme do të mbaheshin më 5 mars të vitit të ardhshëm.

Pritet që Karki të emërojë ministra në kabinetin e saj brenda pak ditësh.

Ajo konsiderohet gjerësisht si një figurë e pastër dhe udhëheqja e saj e qeverisë së përkohshme po mbështetet nga udhëheqësit studentorë nga e ashtuquajtura lëvizja "Gjenerata Z".

Por kabineti i saj do të përballet me sfida të shumta, duke përfshirë rivendosjen e rendit dhe ligjit, rindërtimin e parlamentit dhe ndërtesave të tjera kyçe që u sulmuan, duke i siguruar protestuesit e Gjeneratës Z që duan ndryshim - dhe të tjerë në Nepal që kanë frikë se demokracia e saj e re dhe rendi kushtetues mund të prishen.

Një detyrë tjetër kyçe do të jetë nxjerrja para drejtësisë e atyre që janë përgjegjës për dhunën. /Telegrafi/