Please enter at least 3 characters.

“Në Prishtinë trotuari është për makina, jo për njerëz” – Eliot Hashimi tregon problemin e qytetit

Kandidati i PSD-së për Asamblenë Komunale të Prishtinës, Eliot Hashimi, ka tërhequr vëmendjen e qytetarëve sot me një iniciativë të veçantë në kryeqytet.

Ai ka vendosur një tabelë ironike në një trotuar të bllokuar nga makina të parkuara, duke shprehur shqetësimin për mungesën e hapësirave të duhura publike për këmbësorët.

Gjatë bisedës me një qytetar, Hashimi theksoi se trotuaret në Prishtinë shpesh zaptohen nga automjetet, duke e bërë të vështirë lëvizjen për këmbësorët, fëmijët me karroca apo përdoruesit e biçikletave.

“Në çdo shtet normal, trotuari është për ecje, por në Prishtinë është për parkim”, tha ai.

Hashimi theksoi gjithashtu se problemi nuk është personal, por institucional, duke shtuar se zgjidhja qëndron në planifikimin dhe menaxhimin e hapësirave publike nga komuna, jo në dëmtimin e automjeteve të qytetarëve.

“Përderisa trotuari është për vetura, qyteti s’mundet me qenë për njerëz, e pa njerëz nuk ka qytet”, theksoi ai.

Me këtë veprim, Hashimi synon të rrisë ndërgjegjësimin për nevojën e hapësirave të sigurta dhe funksionale për këmbësorët në kryeqytet dhe të nxisë debat mbi qytetndërtimin dhe prioritetet infrastrukturore të Prishtinës.