Në Podujevë hapet fushata vetëdijesuese kundër trafikimit me njerëz
Në kuadër të aktiviteteve për parandalimin e trafikimit me njerëz, sot në Komunën e Podujevës është mbajtur një takim vetëdijesues, i organizuar nga Njësiti për të Drejtat e Njeriut.
Takimin e hapi udhëheqësi i njësitit, Ahmet Ahmeti, i cili theksoi rëndësinë e informimit dhe vetëdijesimit të qytetarëve për parandalimin e kësaj dukurie shqetësuese. Ai prezantoi gjithashtu aktivitetet që do të zhvillohen gjatë këtij muaji në kuadër të fushatës.
Në takim morën pjesë zyrtarë komunalë nga sektorë të ndryshëm, si dhe përfaqësues nga Qendra për Punë Sociale, të cilët diskutuan për bashkëpunimin dhe koordinimin e veprimeve të përbashkëta në luftimin e trafikimit me njerëz.
Fushata zhvillohet nën mesazhin “Trafikimi prek të gjithë! Ta mbrojmë veten dhe fëmijët tanë!” dhe me slloganin “Mos hesht!”, duke synuar ngritjen e ndërgjegjësimit publik për këtë problem dhe inkurajimin e raportimit të rasteve të dyshuara. /Telegrafi/


