Aktorja u shfaq në Paris, por të gjithë po flasin për ndryshimin e saj
Një paraqitje elegante në Javën e Modës mjaftoi që rrjetet të shpërthenin me komente, habi dhe pyetje që nuk kanë të ndalur
Aktorja e njohur, e cila për dekada është konsideruar simbol i bukurisë, elegancës dhe stilit hollivudian, kohëve të fundit është vënë shpesh në qendër të vëmendjes për ndryshimin në dukje. Në rrjetet sociale, shumë ndjekës kanë komentuar pamjen e saj, duke shprehur habi, shqetësim, por edhe kritika për transformimin që, sipas tyre, është bërë gjithnjë e më i dukshëm.
Megjithatë, Demi Moore duket se nuk u kushton shumë rëndësi zërave që qarkullojnë në internet. Ajo nuk dëshiroi ta humbiste Javën e Modës në Paris, ku u shfaq me vetëbesim dhe me një kombinim që tërhoqi menjëherë vëmendjen.
Për këtë paraqitje, aktorja zgjodhi një veshje të bardhë me detaje dantelle, elegante dhe të rafinuar, të cilën e plotësoi me një kapelë me strehë shumë të gjerë. Pikërisht ky aksesor ra më së shumti në sy dhe i dha pamjes së saj një nuancë dramatike, tipike për ngjarjet e mëdha të modës, transmeton Telegrafi.

Ajo që nuk kaloi pa u komentuar ishte edhe fytyra e saj, për të cilën shumë përdorues të rrjeteve sociale thanë se duket ndryshe nga më parë. Një pjesë e komentuesve e kritikuan aktoren, duke aluduar se ndryshimet estetike kanë ndikuar në pamjen e saj natyrale.
Megjithatë, pavarësisht komenteve dhe krahasimeve me paraqitjet e saj të dikurshme, një gjë mbetet e pamohueshme: Demi Moore vazhdon të ruajë praninë skenike, karizmën dhe elegancën që e kanë shoqëruar gjatë gjithë karrierës së saj. Edhe kur pamja e saj bëhet temë debati, ajo arrin të tërheqë vëmendjen me stilin dhe sigurinë me të cilën paraqitet në publik. /Telegrafi/



























