Në moshën 95-vjeçare, ish shefi i Formula 1, Bernie Ecclestone arrestohet në Portugali
Ish-shefi i Formula 1, Bernie Ecclestone, është arrestuar në Portugali në moshën 95-vjeçare, pasi në bagazhin e tij është gjetur një armë zjarri e padeklaruar.
Sipas raportimeve të mediave lokale, miliarderi britanik u ndalua pas mbërritjes në Aeroportin e Tires në Cascais, ku kishte udhëtuar me avionin e tij privat nga Saaneni i Zvicrës. Gjatë kontrolleve rutinë të bagazheve, policia portugeze zbuloi një pushkë që nuk ishte e regjistruar apo e deklaruar.
Avioni i Ecclestone mbërriti në terminal rreth orës 10:55 të së hënës, ndërsa pas uljes oficerët e Divizionit të Aeroportit të Policisë së Sigurisë Publike kryen kontrollet e nevojshme. Arma u sekuestrua, ndërsa Ecclestone u arrestua për mbajtje të paligjshme të saj. Deri tani, autoritetet portugeze nuk kanë dhënë një deklaratë zyrtare mbi rastin.
Ky nuk është incidenti i parë i tillë për ish-drejtuesin e Formula 1. Në maj të vitit 2022, Ecclestone ishte arrestuar në aeroportin e Campinas në Brazil, pasi në bagazhin e tij ishte gjetur një pistoletë LW Seecamp 32 pa dokumentacionin përkatës.
Në atë rast, Ecclestone kishte deklaruar se nuk ishte në dijeni se arma ndodhej në bagazhin e tij. Ai u lirua pasi pagoi një garanci prej 6,000 reais braziliane, rreth 1,150 euro, ndërsa arma iu konfiskua. Më vonë, britaniku e kishte përshkruar ngjarjen si një “incident qesharak dhe të parëndësishëm”.
Ecclestone kishte shpjeguar gjithashtu se pistoletën e kishte blerë vite më parë nga një mekanik në një pistë të Formula 1, duke thënë se e kishte pasur si masë parandaluese. Tashmë, vetëm katër vjet pas incidentit në Brazil, 95-vjeçari është përballur me një tjetër problem të ngjashëm, këtë herë gjatë udhëtimit të tij në Portugali.
Bernie Ecclestone ishte për dekada figura më e fuqishme e Formula 1 dhe luajti rol vendimtar në shndërrimin e kampionatit në një prej produkteve më të mëdha sportive dhe komerciale në botë. Megjithatë, këtë herë emri i tij është rikthyer në qendër të vëmendjes për një arsye krejt tjetër, pas ndalimit nga policia portugeze për armën e gjetur në bagazhin e tij. /Telegrafi/


