Në gjah për “Burrin Gjuetar”
“Epoka e Gurit” (punuar rreth viteve 1881-1885) nga Viktor Vasnetsov
Wikipedia
Për një shekull, kjo teori e origjinës së njeriut është shuar dhe është rikthyer. Për ta çliruar nga kjo paqartësi, duhet të zbërthejmë kuptimet e saj të shumta.
Nga: Vivek V Venkataraman, profesor-asistent në Departamentin e Antropologjisë dhe Arkeologjisë në Universitetin e Kalgarit në Kanada / aeon.co
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com
Imazhi më ikonik i evolucionit njerëzor nuk vjen nga shkenca, por nga kinemaja. Në skenën hapëse të filmit të Stanley Kubrickut, 2001: Odiseja hapësinore [2001: A Space Odyssey, 1968], majmunët ecin ngadalë nëpër një hapësirë të shkretë të rrahur nga era, duke kërkuar për pak ushqim. Njërin prej tyre e shqyen një leopard. Pastaj shfaqet një monolit i madh i zi, që i hedh majmunët në një gjendje të tërbuar dhe u jep atyre një formë të re inteligjence. Ndërsa shpërthen Kështu foli Zarathustra [Also sprach Zarathustra] e Richard Straussit, një majmun merr një kockë si armë dhe e përplas mbi një grumbull kockash: preja bëhet grabitqar. Më vonë, majmuni e hedh kockën në qiell dhe ajo shndërrohet në një satelit hapësinor.
Mesazhi i sekuencës “Agimi i Njeriut” i Kubrickut është i pagabueshëm. Njerëzimi u farkëtua nga instinkti grabitqar. Është histori evolucionare në të cilën jeta moderne gjurmohet deri te gjuetia parahistorike. Kjo ide njihet me emrin “Burri Gjuetar.” Në disa versione të këtij rrëfimi, gjuetia modeloi jo vetëm trupin dhe mendjen tonë, por edhe vetë strukturën e shoqërisë njerëzore, përfshirë jetën shtëpiake dhe rolet gjinore. Burrat shkonin në gjueti, ndërsa gratë riprodhonin dhe kujdeseshin për shtëpinë.
Është teori madhore, gjithëpërfshirëse, një vizion i gjallë dhe i ngarkuar moralisht i Paleolitit që u ngulit thellë në kulturën popullore. Gjatë shekullit XX, Burri Gjuetar ishte rrëfim për origjinën tonë të cilin shumë njerëz e merrnin si të mirëqenë. Familjet bërthamë, burrat si sigurues të të ardhurave dhe dhuna kanosëse në epokën e Luftës së Ftohtë dukej se pasqyronin rendin natyror të gjërave. Variante të kësaj ideje mbeten të përhapura edhe sot, duke u shfaqur në gjithçka, nga paleo-dietat deri te komunitetet e “manosferës” në internet.
Megjithatë, brenda antropologjisë, kjo ide ishte zbehur prej kohësh. Për mua, si antropolog që studion shoqëritë gjuetare-mbledhëse, Burri Gjuetar ka qenë gjithmonë pak më shumë se një zhurmë në sfond: diçka për të cilën dije, por që nuk e merrje seriozisht. Nga këndvështrimi shkencor, ideja thjesht dukej e vjetruar - një copëz e vjetër e historisë së disiplinës, aspak pranë kërkimit bashkëkohor.
Megjithatë, në vitet e fundit, Burri Gjuetar është rikthyer si cak për kritik - “i demaskuar,” “i vrarë” ose “i çmontuar.” Zbulimet arkeologjike nga Andet peruane nxorën në pah gra të varrosura me mjete gjuetie, duke sugjeruar se ato kanë qenë gjuetare të kafshëve të mëdha; një studim ndërkulturor zbuloi se gratë shkojnë në gjueti në shumicën e shoqërive bashkëkohore gjuetare-mbledhëse; disa studiues argumentuan se gratë mund të jenë më të përshtatshme se burrat për gjuetinë e qëndrueshme dhe se ndarjet gjinore të punës mund të jenë shfaqur vetëm me ardhjen e bujqësisë. Megjithatë, shumë antropologë reaguan me skepticizëm - jo vetëm ndaj gjetjeve konkrete, por edhe ndaj kornizës më të gjerë historike, sidomos pasi pretendimet e ngjashme për fundin e Burrit Gjuetar ishin shfaqur edhe në vitet e mëparshme.
Burri Gjuetar herë pas here del në sipërfaqen e vetëdijes popullore në një cikël të përsëritur. Nuk është vetëm çështje e shkencës empirike - duket se diçka më e thellë është në lojë. Prandaj, disa vite më parë, unë dhe kolegët e mi filluam të hulumtonim historinë e Burrit Gjuetar. Ajo që gjetëm ishte krejt ndryshe nga historia që zakonisht tregohet. Debatet mbi Burrin Gjuetar mbështeten mbi një ngatërrim bazik. Gjatë shekullit të kaluar, kjo shprehje i është referuar tri gjërave shumë të ndryshme: një miti popullor, një konference shkencore dhe një modeli të vëzhguar empirik të shoqërive gjuetare-mbledhëse.
Këto kuptime u formësuan në masë të madhe nga dy burra - dramaturgu Robert Ardrey dhe antropologu Sherwood Washburn - vizionet e kundërta të të cilëve, mbi evolucionin njerëzor, përcaktuan kushtet e debateve që pasuan. Përzierja e këtyre kuptimeve ka lejuar që Burri Gjuetar të vazhdojë të ekzistojë në një gjendje të ndërmjetme, duke qëndruar pezull mes mitit dhe shkencës - si në sferën publike ashtu edhe në atë shkencore. Derisa t’i dallojmë këto kuptime, ideja do të vazhdojë të vdesë - dhe të rikthehet.
Kubricku nuk e shpiku historinë e Agimit të Njeriut që mahniti shikuesit. Ai u mbështet tek idetë që kishin qarkulluar prej dekadash, më së shumti tek ato të paleoantropologut Raymond Dart. Në mesin e shekullit XX, duke u bazuar në 30 vjet studim të fosileve të paraardhësve të hershëm të njeriut, të njohur si australopitë, në Afrikën e Jugut, Darti paraqiti një tezë dramatike: njerëzit rrjedhin prej majmunëve gjakatarë. Në artikullin e tij të vitit 1953, Tranzicioni grabitqar nga majmuni te njeriu [The Predatory Transition from Man to Ape], Darti shkroi se “instinkti për dhunë i njeriut-majmun dhe zhvillimi i suksesshëm i armëve vdekjeprurëse ia dhanë atij - që nga fillimi - epërsinë në botën shtazore. Këto instinkte i kemi edhe sot.” Për Dartin, fosilet ishin gjurmë të dramave epike historike. Dhe, ai i paraqiste idetë e tij me të njëjtin stil dramatik: gjatë ligjëratave, hidhte kocka nëpër sallë duke rikrijuar skena të masakrave të lashta.
Idetë e Dartit ishin të kontroverse që në fillim. Në vitin 1957, Washburni botoi një kritikë direkte me titull Australopitekët: Gjuetarë apo pre? [Australopithecines: The Hunters or the Hunted?]. Darti argumentoi se numri i madh i kafkave në shpellat e Afrikës së Jugut tregonte se australopitekët ishin grabitqarë selektivë koleksionues. Washburni kundërshtoi, duke thënë se hienat, të cilat konsumojnë kryesisht trupa dhe lënë kafkat, kishin më shumë gjasa të ishin përgjegjëse. Siç përfundoi ai me gjakftohtësi, ka gjasa që australopitekët të kenë qenë “preja, jo gjuetarët.”
Nga pikëpamja shkencore, teoria e Dartit po humbiste terren. Por, ai kishte një avantazh të fortë në betejën për imagjinatën e publikut. Nëse biologu Thomas Henry Huxley ishte “bulldogu i Darvinit,” atëherë Ardrey ishte i Dartit. Ardrey nuk ishte shkencëtar, por dramaturg. Me flokë të lëmuara, nofull të theksuar dhe prirje për rrëfime gjithëpërfshirëse, ai kishte një karrierë të suksesshme si dramaturg dhe skenarist në Holivud përpara se t’i rikthehej, në fund të viteve ’50 të shekullit XX, interesit të tij universitar për antropologjinë, duke e quajtur veten “Rip Van Uink” të disiplinës. Ardrey përqafoi idetë e Dartit me një zell pothuajse ungjillor. Në vitin 1961, ai nisi një seri librash bestseller të quajtur Natyra e njeriut [The Nature of Man], që solli idetë e Dartit te publiku i gjerë: “Ne kemi lindur prej majmunëve të ngritur, jo prej engjëjve të rënë,” ka shkruar ai në librin e parë Zanafilla afrikane [African Genesis], “dhe majmunët ishin gjithashtu vrasës të armatosur.”
Kubricku e mbante Zanafillën afrikane mbi tryezën e tij gjatë shkrimit të 2001-shit. Para fillimit të xhirimeve, ai i dha aktorit Dan Richter, që luante majmunin kryesor, Vëzhguesin e Hënës [Moonwatcher], një kopje të shkrimeve të Ardreyt dhe Dartit. “Më intereson natyra brutale dhe e dhunshme e njeriut, sepse është pasqyrë e vërtetë e tij,” i tha Kubricku gazetës The New York Times në vitin 1972. “Dhe, çdo përpjekje për të krijuar institucione shoqërore mbi një pamje të rreme të natyrës njerëzore ka shumë gjasa të dështojë.” Ndikimi i Ardreyt qëndronte më pak te provat dhe më shumë te rrëfimi. Librat e tij - së bashku me Majmuni cullak [The Naked Ape, 1967] dhe Kopshti zoologjik njerëzor [The Human Zoo, 1969] nga zoologu Desmond Morris - ofruan një histori gjithëpërfshirëse të origjinës njerëzore, që është bërë kuptimi më i përhapur i Burrit Gjuetar.
Është pikërisht ky imazh i Paleolitit - shumë më tepër se argumentet shkencore të antropologjisë së mesit të shekullit - që ka formësuar debatet e fundit mbi gjininë, punën dhe evolucionin. Një shembull domethënës shfaqet në një artikull të vitit 2023 nga antropologet biologjike Sarah Lacy dhe Cara Ocobock. Për të ilustruar atë që ato e konsiderojnë si kuptimi popullor i Burrit Gjuetar, ato i referohen një skene të filmit satirik të Mel Brooksit, Historia e botës: Pjesa I [History of the World: Part I, 1981], në të cilin një njeri i shpellave godet një grua në kokë dhe e tërheq zvarrë drejt një shpelle (“martesa e parë Homo sapiens,” siç shpallet në film). Kjo është një parodi e drejtpërdrejtë e 2001-shit. Imazhe e tilla i përkasin një vazhdimësie që shtrihet nga Darti tek Ardrey e deri te Kubricku dhe më pas te satira popullore.
Ardrey ndoqi me zell mundësitë për promovim, duke mbajtur fjalime në mbarë botën dhe duke përhapur ungjillin e “majmunit vrastar.” Megjithatë, në hapësirat më të qeta të akademisë po merrte formë kuptimi i dytë i Burrit Gjuetar. Në prill të vitit 1966, në Universitetin e Çikagos u mbajt një konferencë. Ajo mblodhi dhjetëra antropologë që kishin jetuar me gjuetarë-mbledhëset e mbetur në mbarë botën. Ata u mblodhën për t’iu përgjigjur një pyetjeje të thjeshtë: çfarë mund të na tregojnë gjuetarë-mbledhëset e kohës sonë për evolucionin njerëzor? Siç shpjeguan më vonë bashkorganizatorët e konferencës, Richard Lee dhe Irven DeVore - të dy ish-studentë të Washburnit - gjuetia u përdor si term përmbledhës për mënyrën e jetesës gjuetare-mbledhëse: grupe të vogla, lëvizëse, që ushqehen me ushqime të egra dhe që kanë karakterizuar pjesën më të madhe të historisë njerëzore.
Sot kjo konferencë shihet si një pikë kthese në studimet mbi gjuetarë-mbledhëset, si një ndryshim brezash. Gjatë fjalës së tij kryesore, figura e shquar e antropologjisë, Claude Lévi-Strauss, vuri në dukje se pothuajse nuk njihte askënd, se “brezi kishte ndryshuar.” Konferenca u shoqërua me debate të zjarrta mbi gjuetinë, dhunën, ndarjen gjinore të punës dhe tema të tjera. Në tërësi, ajo çoi në një tablo rrënjësisht të re të gjuetarë-mbledhëseve: një pamje në të cilën gratë dhe bimët kontribuonin në mënyrë të rëndësishme në ekonomitë e tyre; në të cilën grupet e përbëra kryesisht prej meshkujve nuk ishin normë në historinë evolucionare njerëzore; dhe në të cilën gjuetarë-mbledhëset punonin vetëm disa orë në ditë, duke kaluar jetën në atë që folësi i konferencës, Marshall Sahlins, e quajti “bollëku i Zenit.”
Nëse konferenca ishte përparimtare në shumë drejtime, emri i saj sigurisht nuk ishte. Sol Tax, profesor në Universitetin e Çikagos dhe ideatori fillestar i konferencës, i propozoi Washburnit, drejtuesit të saj, që ajo të quhej “Burri Gjuetar” [Man the Hunter], emër që do ta mbante edhe vëllimi i botuar dy vjet më vonë. Në mënyrë ironike, titulli Burri gjuetar nuk pasqyron përmbajtjen reale të librit, një veçanti historike që ka shqetësuar Leenë për vite me radhë. Ai ka vënë në dukje se libri mund të ishte quajtur po aq lehtë Gruaja mbledhëse [Woman the Gatherer]. Lee më tregoi së fundmi se kishte kundërshtuar në atë kohë: “Me një titull si Burri gjuetar do të marrim shumë reagime negative nga antropologjia feministe; a mund të gjejmë një titull tjetër që nuk e vendos ‘burrin’ në qendër?” “Jo, aspak,” u përgjigj Washburn. “Ky nuk është ndonjë problem i madh. Jo, është krejt në rregull.”
Ai do ta thoshte një gjë të tillë. I rritur në Kembrixh të Masaçusetsit, Washburni ishte gjithmonë djali më i vogël në klasën e tij. Zoologjia, siç ka thënë më vonë, ishte mënyra e tij për të ndërtuar një jetë në përputhje me mungesën e forcës fizike. Megjithatë, teoria e tij për evolucionin njerëzor e vendoste pikërisht forcën fizike në qendër. Çfarë i shpjegon tiparet dalluese të njerëzimit? Qëndrimin tonë të drejtë, trurin e madh, kulturën, aftësinë për bashkëpunim? Për Washburnin, përgjigjja ishte gjuetia.
Washburni nuk e paraqiti punimin e tij në konferencën “Burri Gjuetar.” Rreth një vit më vonë, ai dorëzoi një kapitull në bashkautorësi me titull Evolucioni i gjuetisë [The Evolution of Hunting], i cili u përfshi në vëllimin e botuar. Aty thuhej: “Në një kuptim shumë real, intelekti ynë, interesat, emocionet dhe jeta jonë themelore shoqërore - të gjitha janë produkte evolucionare të suksesit të përshtatjes ndaj gjuetisë.”
Në sipërfaqe, idetë e Washburnit në atë kapitull duken të afërta me ato të Ardreyt. Të dy theksonin gjuetinë nga burrat dhe e shihnin dhunën si të rrënjosur - deri në një masë të caktuar - në aspektin biologjik. Të dy i përfytyronin gratë si të kufizuara kryesisht në vatrën e shtëpisë.
Atëherë, në çfarë mënyre dallonin saktësisht idetë e Washburnit nga ato të Ardreyt? Një gjë është e qartë: askush nuk ishte më i zëshëm për dallimet mes tyre sesa vetë Washburni dhe Ardrey.
Duke u formuar si studiues në vitet ’30 të shekullit XX, pikërisht kur po merrte formë sinteza moderne evolucionare, Washburni u dallua si teoricien i metodës, i përqendruar te mënyra se si duheshin testuar pretendimet për origjinën njerëzore. Antropologjia fizike në atë kohë ishte ende e përqendruar te tipologjitë racore dhe klasifikimi. Washburni e orientoi fushën në një drejtim tjetër: drejt teorisë evolucionare, variacionit dhe testimit të hipotezave. Qasja e tij kapërceu kufijtë disiplinorë duke ndihmuar në shndërrimin e antropologjisë në një shkencë të mirëfilltë. Ai e quajti këtë program “antropologjia e re fizike.”
Washburni vizitoi bushmanët e Kalaharit, por nuk kreu punë në terren me gjuetarë-mbledhëset. Megjithatë, kishte vizionin për të kuptuar se kishin rol thelbësor në studimin e evolucionit njerëzor. Për të, gjuetarë-mbledhëset e kohës sonë nuk ishin fosile të gjalla, por burime të papërsosura dhe historikisht të kushtëzuara të të dhënave krahasuese. Qëllimi i konferencës “Burri Gjuetar” ishte pikërisht të sillte në vëmendje këtë trup të akumuluar provash.
Ardrey nuk ishte dakord. Ai ishte armiqësor ndaj strategjisë së rindërtimit të së kaluarës përmes studimit të gjuetarë-mbledhëseve bashkëkohorë. Në vend të kësaj, ai interesohej për fazat më të hershme, para-kulturore të evolucionit njerëzor, duke theksuar krahasimet me ujqërit dhe primatët e tjerë. Sipas tij, gjuetarë-mbledhëset ishin tepër të ndryshuar nga bota moderne, tepër të avancuar në aspektin teknologjik për të qenë të dobishëm në rindërtimin e së kaluarës parahistorike. Në librin Hipoteza e gjuetisë [The Hunting Hypothesis, 1976], Ardrey ka shkruar: “Gabimi i ‘fosilit të gjallë’ pranohet prej vëzhguesve që marrin popujt bashkëkohorë gjuetarë si model për të na informuar mbi mënyrat tona në kohët e lashta.” Gjuetarë-mbledhëset ishin, siç i quante ai te Kontrata sociale [The Social Contract, 1970], “humbësit e evolucionit njerëzor.” Në mënyrë domethënëse, në librat e tij Ardrey e përmend konferencën “Burri Gjuetar” vetëm kalimthi dhe kryesisht në mënyrë përçmuese.
Nga ana e tyre, antropologët profesionistë ose e injoronin ose e përçmonin Ardreyn. Për ta Ardrey ishte tepër përçmues ndaj kulturës. Kultura nuk ishte thjesht një shtresë që mund të hiqet për të arritur te thelbi i “vërtetë” i natyrës njerëzore. Përkundrazi: kultura është vetë natyra njerëzore. Vëllimi Burri gjuetar përmban vetëm një përmendje të vetme, kritike, të Ardreyt, ndërsa asnjë të Dartit. Siç e formuloi Sahlinsi në recensimin e tij për Gjenezën afrikane, Ardrey ofronte një vizion të natyrës njerëzore që “nuk e bën të rëndësishme provën e akumuluar antropologjike mbi sjelljen e njeriut.” Antropologu Edmund Leach shkroi se libri i Ardreyt, Imperativi territorial [The Territorial Imperative, 1966] “është më mirë të lihet krejtësisht mënjanë.” Edhe Washburni nuk kishte mendim të mirë për punën e Ardreyt, duke e quajtur atë “një popullarizues të të dhënave që nuk i kupton.”
Por, ndoshta dallimi më i madh midis Washburnit dhe Ardreyt qëndronte në mënyrën e tyre të praktikës shkencore, dhe pikërisht këtu shohim dallimin midis bërjes së shkencës dhe krijimit të miteve. Kapitulli i Washburnit te Burri gjuetar, ndonëse promovon gjuetinë, është thellësisht ndryshe - për nga karakteri dhe toni - nga librat e Ardreyt. Problemi trajtohet nga kënde të shumta, kundërshtimet shqyrtohen dhe spekulimet identifikohen qartë. Thënë më ndryshe, pikëpamjet e Washburnit ishin të ndryshueshme, të hapura ndaj goditjeve dhe kritikave të procesit shkencor që çojnë para kërkimin. Me fjalë të thjeshta: Washburni ishte shkencëtar i mirë.
Ardrey rrëfente një tregim të mirë, por përshkrimi i tij i natyrës njerëzore është, në fund të fundit, bosh në aspektin shkencor. Shkrimet e tij citojnë kuturu provat mbështetëse, ndërsa shpërfillin provat kundërshtuese. Ai duket i painteresuar për të formuluar pretendime që testohen. Pikëpamjet e Ardreyt u gdhendën në gur që në fillim, ushqyer nga një lloj paranoje; statusi i tij si i përjashtuar nga komuniteti antropologjik merrej si dëshmi se kishte të drejtë. DeVore e ka ligjëruar punën e Ardreyt në kurset pasuniversitare në Harvard, vetëm për të treguar se si nuk duhet bërë shkenca.
Ky dallim thelbësor në praktikën shkencore shihet qartë në trashëgiminë intelektuale të të dyve. Studentët e Washburnit, shumë prej të cilëve sot janë figura të njohura, vazhduan të kryejnë kërkime të nivelit të lartë në biomekanikën eksperimentale, në primatologji, në paleontologji dhe në arkeologji. Linja e tij intelektuale është e gjerë, duke përfshirë gati 40 përqind të antropologëve biologjikë që punojnë sot - përfshirë edhe mua.
Është pikërisht kjo trashëgimi që na çon te kuptimi i tretë dhe i fundit i Burrit Gjuetar: një rregullsi empirike që u shfaq gjatë dhe pas konferencës së vitit 1966. Burri gjuetar, shkruanin Lee dhe DeVore në hyrjen e vëllimit pasues, “ngriti më shumë pyetje sesa dha përgjigje.” Konferenca shënoi lindjen e studimeve mbi gjuetarë-mbledhëset si një fushë më vete. Ajo i nxiti antropologët të ndërmerrnin punë sistematike në terren mbi sjelljen e gjuetarë-mbledhëseve. Kombinuar me zhvillime të reja teorike mbi evolucionin e sjelljes shoqërore, përfshirë sociobiologjinë, kjo çoi në lindjen e ekologjisë së sjelljes njerëzore në fillim të viteve ’80 të shekullit XX, një traditë kërkimore e përqendruar te variacioni, ekologjia dhe vendimmarrja. Kjo qasje e ka ndihmuar shkencën e evolucionit njerëzor të shkojë shumë përtej dikotomive që mbizotëronin kur u formulua për herë të parë Burri Gjuetar. Për dekada, gjuetia është kuptuar jo si një përshtatje e vetme përcaktuese, por si një përbërës i një strategjie më të gjerë evolucionare drejt një diete me rrezik të lartë dhe shpërblim të lartë që kërkon bashkëpunim të gjerë.
Ndërsa studiuesit u shpërndanë në terren në mbarë botën, vëzhgimet anekdotike u shndërruan në modele sistematike: burrat priren të gjuajnë, ndërsa gratë priren të mbledhin. Kjo është ndarja seksuale, ose gjinore, e punës. Sot antropologët flasin për këtë shumë më ndryshe nga studiuesit e viteve ’60 të shekullit XX, të cilët shpesh e paraqisnin përqendrimin e grave te shtëpia dhe kujdesi për fëmijët si një lloj paaftësie ose barre: femrat shiheshin si të pafuqishme, duke pritur që burrat të ktheheshin në shtëpi me mish. Teoritë e reja, përkundrazi, i shohin gratë si aktere individuale që ndjekin qëllimet e veta. Forca fizike nuk është faktori kryesor që i pengon gratë të gjuajnë dhe çdo ide për etje për gjak nuk merret më aspak seriozisht. Në vend të kësaj, ndarja gjinore e punës u shfaq meqë burrat dhe gratë ndryshojnë, mesatarisht, në tolerancën ndaj rrezikut gjatë sigurimit të ushqimit. Përcaktori “priren” është thelbësor. Edhe në konferencën “Burri Gjuetar” u vu në dukje se gratë ndonjëherë gjuajnë - një çështje që nuk ka qenë kurrë në diskutim.
Duke pasur parasysh këtë histori, tani mund të shohim më qartë se ngatërrimi rreth Burrit Gjuetar lind kur kuptimet e tij të shumta bashkohen në një të vetëm. Meqë Washburni kishte shumë ndikim - dhe meqë kapitulli i tij te Burri gjuetar përputhet aq mirë me titullin e librit - ai shpesh është marrë si një deklaratë programatike e konferencës. Për shembull, në librin e tij Shkëndija kreative: Si i bëri imagjinata njerëzit të jashtëzakonshëm [Creative Spark: How Imagination Made Humans Exceptional, 2017], antropologu Agustín Fuentes e përshkroi tezën e vëllimit kështu: “Njeriu i hershëm (dhe këtu nënkuptoheshin vetëm meshkujt, jo femrat) krijoi vendin e tij dhe të grupit të tij në botë duke bashkuar dhe duke përdorur shkopinjtë e mprehtë dhe gurin me teh për të gjuajtur kafshë, për t’i vrarë dhe për t’i konsumuar.” Në mënyrë të ngjashme, Lacy dhe Ocobock argumentuan: “Termi ‘Burri Gjuetar’ dhe kuptimet e tij moderne u krijuan në një konferencë dhe më pas u përhapën përmes një vëllimi të redaktuar me të njëjtin titull.”
Këto pretendime përziejnë koncepte të ndryshme. Siç pamë, ishte Ardrey ai që mbante përgjegjësinë kryesore për këto “konotacione moderne.” Për më tepër, konferenca “Burri Gjuetar” nuk ishte një monolit i vetëm bindjesh; është e vështirë të identifikohet ndonjë hipotezë apo agjendë e vetme që pjesëmarrësit ndanin.
Çështja nuk është nëse gjuetia e ka formësuar njerëzimin. Problemi është se shpjegimet evolucionare janë po aq të mira sa edhe mjetet gjuhësore që i bartin ato. Siç tregojnë debatet mbi shprehjet sugjestive si “gjeni egoist,” Burri Gjuetar është vetëm një shembull i një fenomeni më të gjerë, ku kritika drejtohet ndaj një karikature e jo ndaj shkencës reale.
Kur media shpërtheu mbi “rënien” më të fundit të “Burrit Gjuetar” midis viteve 2020 dhe 2023, hendeku midis konsensusit shkencor dhe paraqitjes së tij publike ishte shqetësues. Shprehja “Burri Gjuetar” ka mbijetuar pikërisht sepse është sugjestive; imazhet e saj kulturore të dhunës dhe seksit - majmuni i Kubrickut me kockë në dorë apo njeriu i shpellave në komedinë e Brooksit - janë shumë më të paharrueshme se detajet e imëta të debatit shkencor. Më e rëndësishmja, ajo mbijeton sepse është e paqartë. Kuptimet e saj të shumëfishta lidhin shkencën me mitin, në mënyrë që në praktikë mund të marrë pothuajse çdo kuptim.
Në këtë kuptim, kontrasti midis Ardreyt dhe Washburnit është një mikrokozmos i problemit. Vizioni i gjerë dhe i dramatizuar i Ardreyt për origjinën njerëzore dhe programi më i kujdesshëm shkencor i Washburnit u kapën nën të njëjtën shprehje - “Burri Gjuetar” - duke mjegulluar kufirin midis mitit dhe shkencës.
Dhe, ky është rreziku i vërtetë: që një koncept të bëhet aq i lakueshëm, sa debatet të mos mbështeten më te provat, por te cilido interpretim që rezulton më i dobishëm nga ana retorike. /Telegrafi/

