Please enter at least 3 characters.

‘Ndihem si idiot’, thotë Lajçak - teksa komenton publikimin e mesazheve në dosjet Epstein

Këshilltari i sigurisë kombëtare i kryeministrit të Sllovakisë ka dhënë dorëheqjen pasi dokumentet e publikuara nga SHBA-të treguan se ai kishte shkëmbyer mesazhe rreth vajzave dhe diplomacisë me Jeffrey Epstein.

Kryeministri Robert Fico njoftoi se kishte pranuar largimin e Miroslav Lajçak shtunën, duke e përshkruar këshilltarin si "një burim të jashtëzakonshëm përvoje në diplomaci dhe politikë të jashtme".

Dorëheqja e tij erdhi një ditë pasi Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së publikoi tre milionë dosje që lidhen me financierin me ndikim.

Dhe tani ka një deklarim të vetë Lajçak, përcjell Telegrafi, në një intervistë për transmetuesin publik Rádio Slovensko.

"Sinqerisht nuk i mbaj mend ato mesazhe", citohet të ketë thënë diplomati sllovak, duke iu referuar shkëmbimeve që përfshinin vajza.

"Nuk mund t'i konfirmoj, por as nuk mund t'i mohoj".

Pasi lexoi përsëri mesazhet, ai shtoi se ndihej "si idiot", shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

“Por kjo nuk më liron nga përgjegjësia”, ka thënë ai. “Unë tregova gjykim të dobët dhe komunikim të papërshtatshëm. Ato mesazhe nuk ishin gjë tjetër veçse ego mashkullore budallaqe...”.

Lajçak ka shpjeguar se mbërriti në Nju Jork në vitin 2017 për të marrë një post njëvjeçar në Kombet e Bashkuara dhe iu prezantua Jeffrey Epstein nga një diplomat i lartë i huaj.

Sipas Lajçak, Epstein ishte i njohur gjerësisht dhe u takua me figura të shumta biznesi dhe politike nga SHBA-ja dhe jashtë saj.

Lajçak tha se nuk shihte asnjë arsye për të mos e takuar atë, duke argumentuar se krijimi i kontakteve ishte pjesë e punës së tij.

Ai tha se më vonë u bë i vetëdijshëm për dënimin e Epstein në vitin 2008 për një vepër penale seksuale, por vuri në dukje se shumë figura me ndikim vazhduan të shoqëroheshin me të më pas.

Kjo, theksoi ai, e bëri të besonte se nuk kishte problem të bënte të njëjtën gjë.

Ai gjithashtu konfirmoi se kishte vizituar apartamentin e Epstein, por tha se figura të tjera të biznesit dhe politikës ishin të pranishme. “Nuk kishte vajza”, këmbënguli ai.

Ndryshe, Lajçak më 2 prill të vitit 2020 u emërua nga Këshilli i Bashkimit Evropian si Përfaqësues Special për Dialogun Kosovë-Prishtinë gjersa u largua gjatë vitit të kaluar për tu zëvendësuar nga danezi, Peter Sorensen. /Telegrafi/