NATO rikonfirmon angazhimin për sigurinë në Kosovë, Komiteti Ushtarak viziton KFOR-in në Prishtinë
Komiteti Ushtarak i NATO-s i kryesuar nga admirali Giuseppe Cavo Dragone, ka vizituar misionin e KFOR-it në Kosovë, të vendosur në Kampin “Film City” në Prishtinë.
Gjatë vizitës, delegacioni është informuar nga komandanti i FSK-së gjeneralmajor Özkan Ulutaş, lidhur me situatën e sigurisë dhe kontributin e vazhdueshëm të NATO-s në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Në fokus të diskutimeve ishte edhe garantimi i lirisë së lëvizjes dhe stabiliteti në terren, si dhe koordinimi i operacioneve me institucionet lokale të sigurisë.
Gjatë takimeve, Komiteti Ushtarak u informua gjithashtu nga përfaqësues të misioneve ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë, përfshirë Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) dhe Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).
Sipas njoftimeve, KFOR vazhdon të veprojë në bazë të Kapitullit VII të Kartës së OKB-së si operacion për zbatimin e paqes, me rreth 4,600 trupa nga 31 vende aleate dhe partnere.
Misioni i tij mbetet ruajtja e një ambienti të sigurt dhe të qëndrueshëm për komunitetet në Kosovë, si dhe mbështetja e zhvillimit të institucioneve profesionale, demokratike dhe shumëetnike të sigurisë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.


