Mustafa kërkon përkrahjen e shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara për Kosovën (Video)
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në kuadër të vizitës në Nju Jork, po zhvillon takime me drejtues të shteteve të ndryshme të botës.
Gjatë ditës, kryeministri Mustafa, ka takuar presidentin e Naurusë, Baron Waqa, të cilin e ka falënderuar për përkrahjen e deritashme, duke kërkuar mbështetje të mëtejme për njohje të reja dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.
“Mustafa, po ashtu, mori pjesë në nënshkrimin e marrëveshjes për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Gambisë, e nënshkruar nga ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj dhe ministrja e Jashtme e Gambias, Neneh MacDouall-Gaye.
Gjatë një takimi me sekretaren të përgjithshme të Frankofonisë, Michaelle Jean, kryeministri Mustafa kërkoi përkrahjen e Frankofonisë për Kosovën në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe për procese tjera zhvillimore”, thuhet në njoftimin për media.
Mustafa u takua edhe me të dërguarin e posaçëm të SHBA-ve për të drejtat njerëzore të personave LGBTI, Randy W. Berry, ku u theksua përkushtimi i Republikës së Kosovës për garantimin e të drejtave të të gjithë njerëzve pa asnjë dallim.
Kryeministri ka mbajtur edhe një ligjëratë në Universitetin prestigjioz St.John’s, ku para shumë studentëve dhe profesorëve ka folur për Kosovën, të kaluarën e saj, zhvillimet e fundit si dhe për progresin e gjithanshëm që po arrihet në Republikën e Kosovës.
Ai ka diskutuar dhe është përgjigjur në interesimet e shumë pjesëmarrësve, duke sqaruar proceset kryesore që lidhen me marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës, zhvillimin ekonomik, integrimet euroatlantike e shumë procese të tjera./Telegrafi/


