Please enter at least 3 characters.

Muhaxheri: Punë e kryer, Ministria e Punëve të Brendshme do t’i takojë LDK-së

2019/12/gazi3.jpg
5:"Admin

Kryetari i Pejës njëkohësisht anëtari i Kryesisë së LDK-së, Gazmend Muhaxheri ka thënë se problem i vetëm mes LDK-së dhe Vetëvendosjes mbetet posti i presidentit.

Muhaxheri, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se VV dhe LDK janë pajtuar dhe tashmë i kanë ndarë të gjitha ministritë.

Ai ka thënë se është zgjedhur edhe problemi i ministrive të përfolura, duke pohuar se Ministrinë e Brendshme do ta drejtojë LDK-ja, përcjell Telegrafi.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, ka thënë se nuk është e nevojshme që LDK të tregojë emrin e Presidentit, derisa edhe për pozitat e tjera arrihet marrëveshje vetëm në parim.

“As emrat e ministrave e as emrin e kryetarit të Kuvendit, Vetëvendosje nuk e di, por ne jemi marrë vesh vetëm në parime”.

Muhaxheri ka thënë se ka një agjendë për të lënë fajtore LDK-në si shkaktare që po vonohet formimi i institucioneve.

“Përmes presionit publik po mundohen që LDK-së t’i imponohen disa marrëveshje që nuk i konvenojnë... Këto presione vijnë nga Vetëvendosje, opinionistave që po na dalin nga partitë politike dhe subjekteve të tjera që nuk kanë qenë të interesuara që të bëhet kjo marrëveshje”.

Kryetari i Pejës ka thënë se LDK ka ofruar edhe alternativën tjetër, nëse Vetëvendosje do për të zgjedhur.

“Nëse nuk iu pëlqen të na japin presidentin dhe kryetarin e Kuvendit, le të na japin kryeministrin dhe le ta marrin presidentin, kryetarin e Kuvendit dhe ministritë që i duan”.

Muhaxheri ka thënë se personalisht ka qenë kundër që LDK-ja të merr Ministrinë e Punëve të Brendshme edhe për shkak të performancës së kaluar, por sipas tij me shumicë votash Kryesia e LDK-së ka vendosur për të marrë këtë ministri./Telegrafi/