Mosreagimi ndaj së keqes, faturë e shtrenjtë që do ta paguajmë të gjithë
“Kur të çlirohemi nga robëria serbe dhe të krijojmë shtetin, do ta shihni se si do të vjedhin këta tanët. Secili gjatë shekujve na ka vjedhur dhe plaçkitur, por më e tmerrshme do të jetë kur të na vjedhin këta tanët dhe kur t’ia shesim pasurinë rrotave të s’ëmës nga gjithë bota dhe makro-vjedhësve. Do të vërsulen kundër nesh sikur shpend grabitqarë. Atëherë pyetja më e madhe dhe më e pazgjidhshme do të jetë - si të shpëtojmë nga njerëzit tanë?” - (Bruno Bashiq, disident kroat, i vrarë në Paris më 1978, nga shërbimi sekret jugosllav).
Ky konstatim i disidentit kroat më asocoi me realitetin dhe përditshmërinë e shpërfillur kosovare. Thuajse mbas përfundimit të luftërave në ish-Jugosllavi ka ngjarë që, problemin më të madh shtetet ta kenë me udhëheqësit e tyre. Edhe ne ishim në këtë vorbull, prandaj nuk bënim përjashtim, edhe pse ishim më të etshëm për liri kombëtare e sociale se të tjerët. Mirëpo, ai entuziazëm euforik, nuk na mbajti gjatë. Pakënaqësia ndaj liderëve tanë u rrit tek popullata duke abuzuar me qeverisje në kurriz të qytetarëve.
Shumëkush prej nesh ka ëndërruar që pas çlirimit nga zgjedha e rëndë serbe, për ne nuk do të ketë sfida të patejkalueshme, do të jemi në një mirëqenie më të mirë sociale, do të kemi punë, siguri etj. Kuptohet që tranzicioni demokratik është i vështirë dhe këtë e kanë përjetuar edhe të tjerët si ne. Por, shumë shpejt ky entuziazëm i shfrenuar (që është normale për një popull të robëruar siç ishim ne) na u kthye në bumerang. Pakënaqësia u rrit dhe kjo po shprehet përmes mekanizmit të votës së lirë (më shumë se gjysma e qytetarëve nuk dalin për të shfrytëzuar të drejtën e tyre, por edhe ata që votojnë shprehen të pakënaqur).
Ajo çka më preokupon më së shumti, është se të gjithë jemi koshientë për ato që ndodhin, i shohim, i lexojmë, i përjetojmë dhe nuk reagojmë fare. Do të ilustroj vetëdijen reaguese tek mentaliteti oksidental (perëndimor): psh. në Itali qytetarët protestojnë nëpër rrugë për uljen e cilësisë së makaronave, apo në Francë fermerët e qumështit për shkak të uljes së çmimit për 1cent në litër, derdhin qumështin e tyre në platonë e presidencës së Shirak-ut, apo edhe në kryeqytetin Lima (Peru) për shkak të ngritjes së çmimit të biletave, digjen autobusët në shenjë revolte (natyrisht sjellje jo e mirë) etj., e shumë e shumë protesta në anë të ndryshme të botës që kanë demokraci të qëndrueshme dhe intelekt reagues ndaj padrejtësive që ju bëhen nga shteti. Këto protesta për gjëra kaq “të vogla” për mentalitetin tonë tribal na lënë gojëhapur dhe para së gjithash na duken gjëra të kota. Ndodhë kjo, sepse ata dinë më së miri ta ruajnë shtetin, por edhe të protestojnë për të drejtat e tyre legjitime.
Njëmend kur shoh se për çka protestojnë në vendet e zhvilluara, edhe mua më duken dokrra këto probleme, dhe e dini pse e them këtë, sepse krahasuar me problemet tona ato mbesin të padukshme. Mirëpo, shteti i tyre ka drejtuar këto punë të mëdha që i kemi ne sot ende të pakryera, shumë më herët duke ju krijuar hapësirë qytetarëve të tyre të reagojnë për “gjërat e vogla”. Tek ne psh. nuk reagojmë që na shkelet sovraniteti territorial, për Mitrovicën, dhënien e tenderëve, shkalla e lartë e korrupsionit, për mënyrën e privatizimit (që s’ka ku shkon ma keq), për mungesën e energjisë, punësimin, varfërinë, qeverisjen jo të mirë, sigurinë, respektimin e ligjit etj. Ndoshta nuk reagojmë, sepse na janë bërë shumë e nuk dimë nga t’ia nisim së pari. Megjithatë, kjo dëshmon vetëdijen tonë qytetare në peshojë!.
Duket se për mosreagime kemi imunitet dhe jemi “të përgatitur gjenetikisht” nga e kaluara jonë e hidhur si komb, sepse kur është dashur të reagohet, nuk kemi qenë të një fjale, e kur jemi bërë, jemi vonuar dhe reagimi nuk ka pasur efekt. Mosreagimet e trasojnë rrugën e dështimeve të sigurta, meqë në hejbet tona plot halle mendojmë provincialisht se personalja është më e rëndësishme se e përgjithshmja, andaj të parat i qesim para të dytave.
Por është mendim i njohur botërisht, se tërësia përbëhet nga pjesët e saj, shoqëria nga individët dhe për problemet në shoqëri dhe zgjidhjet e tyre si përgjegjësitë edhe të drejtat i bartin të gjithë. Andaj keqpërdorimin e taksave tona nuk e shohim si dëmtim tonin personal, por vetëm si dëmtim që nuk na prish punë, sepse e konceptojmë se vetëm nëse dikush të shti dorën në xhep dhe të merr paratë, ajo të dëmton dhe të shtyn të reagosh, që do të thotë se, çka është jashtë individuales, neve nuk na bën përshtypje fare, ndjenjë instiktive e jo racionale. Të mos reagosh, do të thotë të jesh i kënaqur me këtë gjendje që ke dhe këto anomali shoqërore që ndodhin para syve tanë. A kemi të drejtë të sillemi verbërisht e të çuditemi pastaj!.
Këta që na qeverisin, ne i veshëm me pushtet. Dhe a dihet një rast të vetëm se cili njeri i veshur me pushtet kushdo qoftë ai, doli më pak i pasur se sa të bëhej i pushtetshëm?!!!. Unë nuk kam dëgjuar asnjëherë që udhëheqësit tanë nuk përfituan nga pushteti (secili e din abdesin e vet, thotë populli). Dhe nëse diku është vërtetuar praktikisht thënia e Popperit se “të paktë janë ata njerëz që populli i vesh me pushtet dhe nuk abuzojnë me të”, kjo më së miri shihet në rastin tonë dhe tragjikisht po i ngjet Kosovës .
Çuditërisht e arsyetojmë korrupsionin e lartë nëpër institucionet tona se” na kanë vjedhur serbët, e për këta tanët që na vjedhin nuk është dert se janë shqiptarë, edhe ua bëjmë hallall”, mirëpo samari yt, të shumtën e herave, të vret më shumë se samari i huaj, dhe këtë tani po e përjetojmë. Pushtetarët tanë pozitën që ua jep elektorati e shfrytëzojnë “maksimalisht” të pushtuar nga ndjenja se “njëherë u ka ardh vera kah dera”. Dikur Faik Konica thoshte: ”Shqipërinë e bëmë, por si t’i bëjmë shqiptarët”. A mos do të thotë se kjo thënie emblematike e tij duhet të përsëritet edhe për rastin e Kosovës!
Vetëdija jonë qytetare kultivohet dhe jep fryte vetëm nëse të përbashkëtën, “të huajën” (që ende në vetëdijen tonë është ngulitur e përgjithshmja si e tillë) e konsiderojmë si tonën dhe bota na mat me këtë kuti. Realiteti çdo ditë e më tepër e dëshmon se ende jemi larg asaj që e pret bota e civilizuar prej nesh.
Duhet ta dimë se shtetin e ndërtojmë çdo ditë me “gjëra të vogla” nëse vetëdijesohemi që ato të zënë vendin e tyre ashtu siç duhet, sikur figurat në tabelën e shahut. Dhe këtë duhet ta bëjmë çdo ditë, sepse të vërtetën për lidhjen midis qytetarit dhe shtetit, s’kemi nevojë që ne si shteti më i ri ta shpikim, atë bota e qytetëruar e ka bërë para nesh shekuj me radhë: shteti duhet të jetë vazhdimisht në shërbim të qytetarit, kurse qytetari vazhdimisht duhet të punojë për shtetin. Aq më tepër për pushtetarët tanë duhet mësohet fakti se edhe domethënia e fjalës “Ministër” (ministrare-latinisht) dmth. shërbim e jo sundim.
(Autori është politolog, bashkëthemelues i Qendrës për Demokratizim dhe Integrime “DOXA”)


