Please enter at least 3 characters.

Momenti kur një makinë-bombë shpërthen jashtë stacionit të policisë në Belfast, në një sulm që besohet të jetë kryer nga IRA e Re

Ky thuhet të jetë momenti kur një makinë bombë shpërthen jashtë një stacioni policie në Belfast, në një sulm që mendohet të jetë kryer nga IRA e Re.

Sipas mediave britanike, përcjell Telegrafi, pamjet tregojnë një oficer që ecën drejt stacionit në Dunmurry, në jugperëndim të kryeqytetit të Irlandës së Veriut, përpara se një shpërthim i fuqishëm nga një makinë e bardhë të ndodhte në rrugë.

Shpërthimi ndodhi rreth orës 22:50 të së shtunës, pasi një 'pajisje e tipit bombë gazi' u vendos në makinën e rrëmbyer të një shoferi shpërndarjeje dhe u dërgua në vendin e ngjarjes.

Dy foshnje ishin midis banorëve të evakuuar kur shpërtheu makina bombë, duke dërguar mbeturina përtej rrugës.

Supozohet se një shoferi shpërndarjeje iu rrëmbye makina dhe u detyrua ta transportonte bombën në shënjestrën e saj.

Sulmi erdhi disa javë pas një tjetër tentative bombardimi, kur pajisja dështoi të shpërthente jashtë një stacioni policie në qytetin e afërt të Lurgan, me grupin IRA e Re që mori përgjegjësinë për atë sulm.

"Ka shumë ngjashmëri midis dy incidenteve dhe... hipoteza jonë e hershme e punës është se kjo mund të jetë vepër e IRA-s së Re", tha zëvendës shefi i policisë Bobby Singleton i Shërbimit Policor të Irlandës së Veriut.

Duke folur të hënën, shefi i policisë së Irlandës së Veriut Jon Boutcher e quajti atë një "sulm të qëllimshëm, të pamatur dhe të çmendur".

Ai vlerësoi trimërinë e oficerëve që "nxituan drejt rrezikut" për të evakuuar familjen afër stacionit.

E ministrja e Parë e Irlandës së Veriut, Michelle O'Neill, tha se bomba kishte vënë në rrezik jetën e njerëzve dhe "tregoi një shpërfillje të hapur për komunitetin lokal".

Sipas mediumit britanik, të ashtuquajturit republikanë disidentë janë individë dhe grupe pro-Irlandës së bashkuar që nuk e pranojnë marrëveshjen historike të paqes të vitit 1998.

IRA e Re është grupi më i madh republikan që kundërshton praninë britanike në Irlandën e Veriut. /Telegrafi/