Momenti i ri unipolar i Amerikës
Flamuri i ShBA-së valëvitet në erë
(Getty Images)
Nga: Stuart Gottlieb, profesor në Universitetin e Kolumbias, ish-këshilltar për politikën e jashtme dhe shkrues fjalimesh në Senatin amerikan në vitet 1999-2003 / Newsweek
Përkthimi: Telegrafi.com
Paramendoni sikur në fillim të vitit 2001 do t’ju thuhej se gjatë 25 vjetëve të ardhshme Amerika do të përjetonte sulmin më vdekjeprurës terrorist në histori, do të luftonte dy nga tri luftërat e saj më të gjata (të dyja të përfunduara me dështim), do të përballonte kolapsin më të rëndë financiar që nga Depresioni i Madh dhe do të tronditej nga një dekadë e paqëndrueshmërisë politike të nxitur nga Donald Trumpi, e cila do të sfidonte vetë themelet e demokracisë së saj.
Tani, paramendoni sikur më pas të të thuhej se në fund të kësaj periudhe, Amerika do të ishte në pozicionin e saj më të fortë global që nga Lufta e Dytë Botërore. A do të ishte kjo e besueshme?
Sipas pothuajse çdo treguesi të fortë të fuqisë globale, duket se është pikërisht kështu. Dhe, ndonëse udhëheqja e butë e Amerikës mbi vlerat dhe institucionet liberale është zbehur nën Trumpin, Shtetet e Bashkuara mbeten demokracia më e shquar liberale në botë dhe e vetmja e aftë për të formësuar drejtimin e çështjeve botërore.
Ky është “momenti i tretë unipolar” i Amerikës që nga viti 1945, së bashku me periudhën e hershme pas Luftës së Ftohtë. Ai i ofron Uashingtonit një mundësi tjetër për të ndihmuar në ndërtimin e një bote që mbron interesat dhe vlerat amerikane, së bashku me një udhëheqje për stabilizim. Për të pasur sukses, duhet të përmbajë elementet thelbësore të epokës së Luftës së Ftohtë - parandalim të fortë ushtarak amerikan, shoqëruar me epërsinë globale ekonomike - pa hilet e “fundit të historisë” të viteve ’90 të shekullit XX. Me përzierjen e duhur të maturisë dhe pragmatizmit, Shtetet e Bashkuara janë në pozitën të mbeten aktori thelbësor i shekullit XXI.
Për të kuptuar dominimin aktual global të Amerikës, merrni parasysh se 20 vjet më parë ekonomitë e Bashkimit Evropian dhe ShBA-së ishin përafërsisht të barabarta; sot, ajo e Amerikës është 50 për qind më e madhe. Në vitin 2021, pas dy dekadash të rritjes së vrullshme, PBB-ja e Kinës arriti në 77 përqind të asaj të Amerikës; deri në vitin 2025, ajo kishte rënë në 63 përqind. Parashikimi i gazetarit Fareed Zakaria në vitin 2008 se Kina, India, Brazili dhe vendet e tjera me zhvillim të shpejtë paralajmëronin “botën pas-amerikane”, jo vetëm që nuk është materializuar, por po shkon në drejtimin e kundërt. Më 2008, PBB-ja e ShBA-së ishte sa 23 përqindëshi i totalit botëror; në vitin 2025 ishte 26 përqind, njësoj si gjatë viteve ’90 të shekullit XX.
Në treguesin tjetër madhor të fuqisë globale - shpenzimet ushtarake - Amerika mban një epërsi edhe më të madhe. Në vitin 2024, Uashingtoni shpenzoi 997 miliardë dollarë për mbrojtjen, pothuajse 40 përqindëshi i të gjitha shpenzimeve në mbarë botën dhe sa shuma e nëntë vendeve pasuese së bashku. Megjithatë, kjo përbënte vetëm 3.4 përqind të ekonomisë së ShBA-së. Për krahasim, në vitin 2005 Shtetet e Bashkuara shpenzonin 4.1 përqind për mbrojtjen, ndërsa në vitet ‘80 të shekullit XX mesatarja ishte 6.3 përqind.
Edhe nëse Kina, siç dyshohet, po shpenzon shumë më tepër për ushtrinë sesa raportohet, trendi aktual favorizon ndjeshëm Shtetet e Bashkuara. Megjithëse Kina mbetet një fuqi e madhe prodhuese, ajo përballet me erëra të forta kundërshtuese ekonomike falë një krize masive të kredive që tashmë ka shkatërruar dhjetëra triliona në pasuri, si dhe me fuqinë punëtore që po plaket më së shpejti në botë. Më keq akoma, prirja gjithnjë e më leniniste nën Xi Jinpingun po e mbyt ekonominë e saj dikur të lulëzuar private: investimet e huaja janë në nivelin më të ulët të tri dekadave dhe startupet e kapitalit sipërmarrës kanë rënë nga mbi 50 mijë në vitin 2018 në më pak se një mijë në vitin 2024. Pavarësisht shqetësimeve për përparimet kineze në inteligjencën artificiale (IA), firmat amerikane kapin më shumë se gjysmën e fitimeve globale të teknologjisë së lartë, ndërsa Kina mezi arrin gjashtë përqind.
Nëse teknologjia e avancuar mban të ardhmen e rritjes globale, është e vështirë të imagjinohet Kina duke konkurruar me mjedisin shumë më dinamik të Amerikës për investim dhe për shpikje. Nuk është rastësi që Shtetet e Bashkuara kanë qenë në ballë të çdo transformimi të madh ekonomik të 150 vjetëve të fundit - revolucioni i dytë industrial, revolucioni i internetit dhe tani revolucioni i inteligjencës artificiale. Ky ritëm udhëheqës shpjegon se pse ajo ka ende kthime shumë të qëndrueshme ekonomike edhe kur sfiduesit vijnë e ikin.
Por, ndoshta gjëja më mahnitëse për momentin e sotëm unipolar është se ai nuk lindi nga një fitore amerikane në një luftë botërore (të nxehtë apo të ftohtë), por gjatë një prej periudhave më të trazuara të kohëve të fundit. Kjo e ilustron aftësinë unike të Amerikës për t’u përshtatur dhe ripërtërirë, si dhe potencialin e saj për ta ruajtur këtë moment.
Për ta bërë këtë, duhet të pranojë se unipolariteti nuk do të thotë mosndëshkim. Ashtu si pas Luftës së Dytë Botërore, Uashingtoni ka nevojë për marrëdhënie të fuqishme tregtare dhe partneritete mbrojtëse, veçanërisht nëse Kina bëhet gjithnjë e më agresive ndërsa fuqia e saj relative bie. Dhe, ndryshe nga vitet ’90 të shekullit XX, Amerika duhet të përfytyrojë udhëheqjen e një bote të larmishme dhe komplekse, jo një “rend të ri botëror” të thjeshtëzuar të ndërtuar ekskluzivisht për shtetet liberale-kapitaliste.
Një fillim i mirë do të ishte udhëheqja e një transformimi global larg energjisë me bazë karboni dhe drejt energjisë së bollshme me fuzion bërthamor. Ajo gjithashtu mund të krijojë një konsorcium për të reduktuar dëmet e mundshme nga inteligjenca gjenerative artificiale dhe për të ndarë përfitimet e saj tregtare me rajonet më të varfra të botës, në mënyrat të cilat globalizimi i viteve ‘90 të shekullit XX nuk i realizoi.
Shtetet e Bashkuara nuk janë pa sfida, përfshirë një borxh të madh kombëtar dhe një politikë të luhatshme. Por, avantazhet e saj unike përfshijnë pasurinë e jashtëzakonshme kombëtare (35 përqind e totalit botëror) dhe një sistem fort të kontestuar politik që shpesh duket jofunksional, por gjithmonë arrin të stabilizojë rrjedhën. Për 250 vjet, Amerika ka qenë kombi më me ndikim në botë. Ditët e saj më të mira mund të jenë ende përpara. /Telegrafi/

