Mitsubishi L200 arrin si rival i Ford Ranger
Mitsubishi rikthehet fuqishëm në tregun britanik me “pikapin” e ri L200, që pritet të mbërrijë në maj dhe do të rivalizojë direkt Ford Ranger.
Çmimi fillestar i këtij modeli do të jetë mbi 41 mijë euro pa TVSH, duke e vendosur pak më lart se Ranger dhe më lirë se Toyota Hilux.
L200 vjen kryesisht në versionin “double cab” me katër dyer dhe është i pajisur me motor 2.4‑litër turbo, transmetim automatik 6‑shpejtëshe dhe tërheqje në të katër rrotat.
Ky motor në tregje të tjera prodhon rreth 201 kuaj/fuqi dhe 347 lb‑ft çift‑rrotullimi, ndërsa “pikapi” mund të tërheqë deri në 3.5 tonë ose të mbajë një ngarkesë prej 1 tonë.
Modelet që do të ofrohen për publikun britanik janë Titan dhe Barbarian, ku ky i fundit ka opsione të përparuara për terrene të vështira dhe tërheqje permanente në të gjitha rrotat.
Për bizneset, do të jetë në dispozicion edhe një version “Commercial”, me vend vetëm për shoferin dhe ngarkesë të sigurt pas ulëseve.
Përveç L200, Mitsubishi planifikon të sjellë në Britani edhe SUV‑in Outlander PHEV, duke shënuar një rikthim të plotë të “brandit” në ishull. /Telegrafi/


