Please enter at least 3 characters.

Mitrovica nderon viktimat e Masakrës në Tregun e qytetit, Peci: Akt terrorist dhe gjenocidial

Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, ka bërë homazhe për përvjetorin e 27 të Masakrës në Tregun e Mitrovicës, duke përkujtuar viktimat dhe dhimbjen që la pas ky akt kriminal.

“Ishte ditë pazari dhe tregu i qytetit i mbushur përplot gjallëri, blerës e shitës, fëmijë, gra, burra, pleq e të rinj, kur pamëshirshëm gjallërinë e jetës e shuajti granata e vdekjes”, ka thënë kryetari Peci, duke e cilësuar këtë akt si kriminal, terrorist e gjenocidial.

Ai ka theksuar se sulmi ishte planifikuar dhe porositur nga pasardhësit politikë të Millosheviqit në Beograd, me qëllim shkaktimin e humbjes së jetëve në një vend ku kishte turmë njerëzish.

“Në mesin e 7 të vrarëve në Masakrën e Tregut ishin nga më e reja Elizabeta Hasani, 5-vjeçare, deri tek më i vjetri Rrahim Peci, 65 vjeç. Të plagosur mbetën 128, shumë prej tyre ende me plagë”, ka shtuar kryetari i Mitrovicës.

Peci ka bërë thirrje për respekt dhe përkujdesje për viktimat dhe të mbijetuarit, duke njoftuar se sot po zhvillohen homazhe pranë pllakës së të vrarëve.

“Sot, në shenjë nderimi, bëjmë homazhe pranë pllakës së të vrarëve dhe bashkëndjejmë dhimbjen e të gjallëve të prekur nga ky sulm kriminal”, ka deklaruar kryetari Faton Peci. /Telegrafi/