Please enter at least 3 characters.

Ministër “luaje” Gurin!

2016/01/minist-euml-r-ldquo-luaje-rdquo-gurin_hd.jpg

Përzgjedhja e asamblistes së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Rahovec, Beatrisa Demirit, si mësuesja e “vitit” duke i dhënë asaj çmimin “Shaban Jashari” është skandali i radhës që e përcolli Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Kjo s’ishte dhurata më e mirë për mësuesit, vetëm një ditë para ditës së tyre.

Kjo ministri, e udhëhequr nga Ramë Buja i PDK-së, me këtë veprim tregoi se domosdoshmërisht politika ka kapur me ‘kthetrat’ e saj arsimin dhe po rëndon mbi çantën e rëndë të nxënësit dhe djersën e mësuesit. Kjo ‘kthetër’ po rëndon mbi mësuesit e rënë për ideale tjera, mbi ata që mbetën të gjallë e që mbijetojnë me një pagë minimale, mes idealit për të jetuar me dinjitet, për të mësuar nxënësit, për të kryer një punë bujku apo taksisti, për t’u siguruar familjarëve atë që është më se e domosdoshme.

Fjalët mbështetëse për mësuesit që jepen në ditën e tyre - 7 Mars, u ‘fundosën’ me veprimin e Ministrisë së Arsimit, që kishte caktuar një komision me në krye Azem Gurin, këshilltar ky i Bujës, për të përzgjedhur mësimdhënësit e dalluar.

E objektiviteti i një Komisioni me në krye Gurin shpjegohet më së miri me faktin se Guri ishte drejtor i drejtorisë së Arsimit në Kaçanik, në kohën kur kjo komunë udhëhiqej nga personi më kontravers i kësaj komune, ish-kryetari i arratisur i Kaçanikut, Xhabir Zharku.

Dhe, vlerësimi i Komisionit që e udhëhoqi Guri, ishte se mes mësuesve të dalluar, më e mira e të mirave, ishte Beatrisja e PDK-së. Ndonëse të qenit në PDK nuk ishte kriter i shkruar për këtë përzgjedhje, nuk ishte as përjashtim. Kështu ‘peshorja’ me kryematësin Guri, vlerësoi më të mirën e Arsimit (Partisë).

Mbase, Beatrisja ka këto atribute. Gjynah t’i hymë në hak. Edhe ata që e njohën ma përshkruan për një mësuese të mirë. Por, për të qenë korrekt me emrin e ish-mësuesit “Shaban Jashari”, që me familjen e tij nuk u sakrifikua për PDK-në por për kombin, do të duhej të gjendej një mësuese që së paku nuk ka librezë të ndonjë subjekti politik. As që do të diskutohej të qenit asambliste e ndonjë partie. E aq më parë, e PDK-së, e cila udhëheq me Rahovecin por edhe me Kosovën.

Kjo me të vërtetë është një atak për mësuesit. 30-vjeçarja, mësuese e dalluar, ani se nuk ka moshë sa kanë kontribut në arsim shumë mësimdhënës që edhe sot janë aktivë. Komisioni i Gurit, do të duhej të kujtonte se arsimi ishte njëra nga shtyllat që qëndroi si guri i palëkundur në vitet e nëntëdhjeta. Anakroni e kohës, por kur mësimi bëhej në shtëpi-shkolla, Beatrisja sigurisht ka qenë një nxënëse shkolle. Dhe nuk e kuptoj si ndjehet me këtë çmim kjo mësuese, para mësimdhënësve të saj që kanë përvojë në arsim sa Beatrisja moshë. Apo, mjafton të çosh një mirënjohje në shtëpi.

Atëherë, ministri i Arsimit Ramë Buja, nuk mund të justifikohet duke thënë se nuk e ka ditur se një asambliste e PDK-së është përzgjedhur mësimdhënësja e vitit. Arsye mund të gjenden për çfarëdo gabimi. Por, gabimet duhet përmirësuar. Sidomos, kur bëhet ‘bërlloku deri në gju’, sikur në këtë rast. Andaj, Buja s’duhet të lërë gur pa lëvizur, për të përmirësuar gabimin e rëndë.

Ministri duhet që urgjent të bëjë disa veprime, që mësuesit të mos ndihen të fyer. Pasi t’u kërkojë falje publike për veprimin e këshilltarëve të tij, ai duhet t’ia marrë çmimin Beatrise Demirit dhe t’i japë një të merituari dhe pa librezë partie. E këshilltarin e tij, ta largojë nga ministria. Mësuesit kanë nevojë për stimulime e jo për fyerje si kjo. Andaj, ministër ‘luaje’ Gurin që urimi për gjithë mësuesit të ketë kuptimin e vet. Sidomos për ata që nuk kanë librezë partie!

(Autori është Redaktor i Sociales në gazetën Tribuna. Marrë nga: Tribuna).