Please enter at least 3 characters.

Mikel Arteta flet për humbjen, por edhe gjasat tani për titullin kampion

Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka insistuar se skuadra e tij ende ka shanse reale për ta fituar Ligën Premier 2025/26, pavarësisht humbjes 2-1 ndaj Manchester Cityt në “Etihad Stadium”.

Pas ndeshjes, ai deklaroi për Sky Sports se diferenca mes dy ekipeve ishte minimale, por vendosi efikasiteti dhe cilësia individuale në momentet kyçe.

“Kur nuk i shfrytëzon rastet dhe ata kanë cilësinë individuale, ky është rreziku – sepse e humb ndeshjen. Nuk mendoj se kishte dallim mes dy skuadrave. Ka edhe element fati, nëse topi hyn apo jo. Te goli i dytë, topi devijohet dhe përfundon te Haaland. Pastaj është edhe cilësia individuale: të jesh i qetë, i saktë dhe i pamëshirshëm. Duhet të jesh aty”, u shpreh Arteta.

Ai vlerësoi edhe reagimin e skuadrës deri në fundin e takimit, duke thënë se Arsenali e çoi lojën aty ku e kishte planifikuar.

“Ne e bëmë këtë plotësisht. Mund ta shihni deri në fund qëndrimin e ekipit. Në disa momente mund të ishim më të qetë, por gjithsesi e çuam ndeshjen në zonat ku donim. E dinim se kishim një shans të madh për ta fituar”, shtoi ai.

Megjithëse e pranoi se Arsenali humbi një mundësi të madhe, Arteta theksoi se gara ende nuk ka përfunduar.

“Ishim afër, por jo mjaftueshëm afër. Tani duhet të rivendosemi. Sot e humbëm një mundësi – një të madhe. Por kanë mbetur edhe pesë ndeshje. Ka ende shumë gjëra pozitive nga kjo paraqitje”, përfundoi ai.

telegrafi.com

Aktualisht, Arsenali ka tre pikë epërsi ndaj Manchester Cityt në krye të tabelës, por qytetarët mund të kalojë në vendin e parë nëse fiton ndeshjen e mbetur ndaj Burnleyt. /Telegrafi/