Michael Ward nga seriali "Top Boy", i akuzuar për përdhunim dhe sulm seksual, duhet të dalë në gjykatë në gusht
Michael Ward, një aktor 27-vjeçar i njohur për rolin e tij në serialin "Top Boy", është akuzuar për dy përdhunime dhe tre sulme seksuale ndaj një gruaje në fillim të vitit 2023, dhe gjyqi i tij është planifikuar për 28 gusht.
Deklarata e Shërbimit të Prokurorisë së Kurorës u nënshkrua nga Zëvendës Kryeprokurorja Catherine Baccas: "Policia Metropolitane është e autorizuar ta akuzojë atë për dy akuza për përdhunim, dy akuza për sulm me anë të depërtimit dhe një akuzë për sulm seksual".
Ajo theksoi se procedurat janë duke vazhduar, se Ward ka të drejtën për një gjykim të drejtë dhe se është e rëndësishme të shmanget përhapja e informacionit që mund të prishë rrjedhën e procesit ligjor.
Detektivi Scott Ware, kreu i hetimit, theksoi se policia po i ofron mbështetje të plotë gruas që raportoi rastin, e vetëdijshme për barrën emocionale dhe psikologjike që hetime të tilla mbartin për viktimat.
Ward u shfaq profesionalisht në skenën e filmit që në vitin 2016 në filmin "Brotherhood", por ai mori më shumë vëmendje nga publiku pas rolit të tij në "Top Boy" në vitin 2019.
Pas kësaj, ai u shfaq përkrah Olivia Colman në filmin "Empire of Light" me regji nga Sam Mendes, gjë që i siguroi atij një nominim për BAFTA në kategorinë e aktorit më të mirë mbështetës. Ai më parë fitoi BAFTA për Rising Star për rolin e tij në dramën kriminale Blue Story.
Forbes e renditi atë në listën e saj 30 nën 30 në vitin 2020. Ai pritet të shfaqet në filmin "Eddington", në të cilin luan përkrah Pedro Pascal dhe Joaquin Phoenix. /Telegrafi/


