Mes polemikave për Zvërnecin, Rama publikon një mesazh nga Vlora në mbështetje të investimit
Pas debatit dhe reagimeve të shumta që kanë shoqëruar ditët e fundit projektin e investimit në zonën e Zvërnecit, kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale një mesazh që, sipas tij, i është dërguar nga një qytetar vlonjat në mbështetje të këtij projekti.
Duke publikuar edhe një video nga zona, Rama u shpreh se ajo tregon realitetin aktual të territorit ku synohet të realizohet investimi.
“Mirèmengjes dhe me këtë mesazh të nxjerrë nga telefoni im bashkë me videon e mëposhtme (pasqyrë e qartë e realitetit të trishtë të parajsës që armiqtë e Shqipërisë Europiane, konkurrentët e Shqipërisë Turistike dhe të verbërit e “Shqipërisë së shqiptarëve” duan ta mbajnë të gjithë bashkë tamam kështu si është sot - siç do ta shihni vetë - tokë të ndotur e të paprekur nga tradhtia ime)”, shkruan Rama.
Kryeministri shton se synimi i projektit është transformimi i zonës dhe rritja e potencialit turistik të vendit.
“Dua të sjell një investim 4 miliardë në funksion të një projekti që e kthen Vlorën në beben e syrit të turizmit në këtë anë të botës, ndërsa Shqipërinë e ngjit në Ligën e Kampionëve të turizmit botëror”, shprehet ai.
Më tej, Rama thotë se shpreson që debati i krijuar së fundmi të jetë qartësuar për mbështetësit e tij.
“Duke shpresuar që tanimë t’ju jetë pastruar gjaku nga helmi i luftës hibride online atyre të mive, që u dëshpëruan prej një rreziku imagjinar, ju uroj të gjithëve ju një ditë të mbarë”, shkruan kryeministri.
Në vijim të postimit, Rama ka publikuar të plotë edhe mesazhin që pretendon se ka marrë nga një qytetar i Vlorës, i cili shpreh mbështetje për investimin në Zvërnec.
“Përshëndetje Kryeministër! Jam Vlonjat dhe pro investimit ne Zvërnec. Mos ndalo. Po te nis një video dhe te lutem postoje. Bëhet fjale fiks për zonën ku njerëz te papërgjegjshëm qe dhe ndoshta janë ngritur ne protestë e kanë katandisur zonën e mbrojtur si mos me keq.”
Qytetari vijon më tej: “Kurse ata qe erdhën për sherr dihet qe e kane me ty jo me natyrën se po ta kishin për natyrën duhet te shanin pse është bër hale jo pse do te hedhesh 4 miliardë qe s'janë hedhur tërë historinë ne anët tona.”
Në pjesën tjetër të mesazhit, ai pretendon se zona të mbrojtura po dëmtohen nga papërgjegjshmëria e njerëzve.
“Shihe videon dhe nese do mund te te nis dhe video te tjera te zonave ku mbrohen me ligj po nuk mbrohen dot nga njerezit e liq pa tru qe s a me shum plehra hedhin poshte aq me teper cirren me zerin lart.”
Ndërsa në fund, qytetari i bën thirrje kryeministrit që të vijojë me projektin.
“Te falënderoj nëse e merr ne konsideratë këtë video dhe tregoja Shqipërisë se duan te sabotojnë zhvillimin qe e shëron këtë zone. Beje këtë zhvillim e vlonjatet do te te bekojnë ne breza. Këta jo nuk e duan Shqipërinë aq sa thonë po e duan edhe pa te huaj qe ta kthejnë si Vlora para se ta merrje ti ne dor. Po te nis video.”


