Mërzia te fëmijët: si duhet të reagojnë prindërit dhe pse ndonjëherë është e dobishme
Psikologët thonë se koha e paplanifikuar mund t’i ndihmojë fëmijët të zhvillojnë kreativitetin, vetëbesimin dhe aftësinë për t’u përballur me emocionet
Një nga ankesat më të shpeshta të fëmijëve është fjalia: “Jam mërzitur”. Për shumë prindër është e vështirë të dinë si të reagojnë: a duhet t’u ofrojnë menjëherë ndonjë aktivitet apo mërzia është thjesht pjesë normale e fëmijërisë, madje ndonjëherë edhe e dobishme?
Mërzia mund të ketë edhe anë pozitive
Ekspertët për Parents.com shpjegojnë se mërzia mund të ketë edhe anë pozitive. Psikologia klinike, Dr. Ashley Castro, thotë se koha e lirë mund t’u hapë fëmijëve derën e kreativitetit.
“Kur fëmijët kanë kohë të paplanifikuar dhe të pastrukturuar, si edhe lirinë për të vendosur vetë çfarë do të bëjnë, kjo e nxit pavarësinë e tyre”, thotë ajo.
Sipas saj, kjo i ndihmon të ndërtojnë vetëbesimin, vetëvlerësimin dhe aftësitë për zgjidhjen e problemeve.
Me këtë pajtohet edhe Dr. Diane Franz, psikologe pediatrike në Spitalin e Fëmijëve në New Orleans. “Mendoj se mërzia ju shtyn të bëheni më kreativë dhe të mendoni përtej nevojave të momentit”, thotë ajo.
Përveç kësaj, periudhat e shkurtra të parehatisë mund të ndihmojnë në zhvillimin e qëndrueshmërisë emocionale te fëmijët.
“Është mirë që prindërit të mos ndiejnë presionin se duhet ta zgjidhin çdo problem me të cilin përballet fëmija i tyre”, shpjegon Dr. Franz.
Parehatia dhe fakti që nuk ndihemi gjithmonë shkëlqyeshëm janë pjesë normale e jetës. Është në rregull që edhe fëmija ndonjëherë të ndihet kështu, sepse kjo e ndihmon të mësojë si të përballet me këto ndjenja, transmeton Telegrafi.
Duhet parë e gjithë situata
Megjithatë, jo çdo fëmijë që ankohet se është mërzitur duhet të marrë të njëjtin reagim, sidomos kur bëhet fjalë për fëmijë më të vegjël. Dr. Castro thekson se një fëmijë mund të thotë “Jam mërzitur”, kur në të vërtetë po përpiqet të shprehë një nevojë më të thellë.
“Ndoshta mendojnë se janë mërzitur, por në fakt janë të uritur ose ndihen të lënë pas dore”, thotë ajo.
“Mund të jenë të trishtuar, ndërsa ‘Jam mërzitur’ është mënyra e tyre për ta shprehur këtë, pa u ndier shumë të pambrojtur.”
Prandaj, ajo u këshillon prindërve ta shohin situatën në tërësi. Fëmija mund të ketë nevojë për më shumë kohë të përbashkët ose për një bisedë rreth emocioneve. Në vend që ankesa të hidhet poshtë menjëherë si kërkim vëmendjeje, është mirë të shihet nëse pas saj fshihet ndonjë nevojë e paplotësuar.
Pasi prindërit të kuptojnë se fëmija vërtet po mërzitet, lind pyetja nëse duhet të ndërhyjnë. Dr. Castro mendon se fëmijëve duhet t’u lejohet të përballen me mërzinë, por vetëm kur kanë mjetet e duhura për ta bërë këtë.
“Në përgjithësi, është mirë që fëmijët të kenë kohë të paplanifikuar, në të cilën mund të qëndrojnë vetëm me mendimet e tyre dhe të eksplorojnë botën përreth ashtu siç është, jo domosdoshmërisht përmes lodrave apo aktiviteteve të paracaktuara”, thotë ajo.
Kur fëmijët më të rritur ankohen se janë mërzitur
Kur fëmijët më të rritur thonë se janë mërzitur, Dr. Castro thotë se është momenti për bisedë. Nëse ata dinë të argëtohen vetë, por vazhdojnë të ankohen, mund të ndihen të kufizuar në atë që mund të bëjnë ose ku mund të shkojnë.
Në këto raste, prindërit mund të ofrojnë zgjidhje praktike, si një vizitë në bibliotekë, një projekt që mund ta bëjnë në shtëpi ose ndonjë lojë që mund ta luajnë së bashku. Megjithatë, nuk duhet të përpiqen ta “zhdukin” menjëherë mërzinë ose çdo ndjenjë negative.
Dr. Castro rekomandon që prindërit t’i kushtojnë vëmendje edhe mënyrës si flasin vetë për mërzinë. Nëse ajo paraqitet gjithmonë si diçka negative, nga e cila duhet ikur, edhe fëmijët do ta perceptojnë ashtu.
Por koha e pastrukturuar mund të jetë shumë e rëndësishme për zhvillimin e kreativitetit dhe kënaqësinë e lirisë pa plane të paracaktuara.
“Ndoshta do të ishte e dobishme që prindërit të mendonin si e përdorin vetë fjalën ‘mërzi’ dhe si flasin për kohën e lirë të pastrukturuar”, thotë ajo.
“Mund të ndodhë që fëmija të marrë mesazhin e fshehtë se është keq të rrish ulur dhe të mos bësh asgjë.”
Prandaj, ajo sugjeron ndryshime të vogla në gjuhë. Në vend që të thonë se fëmija “nuk po bën asgjë”, prindërit mund të thonë: “Tani ke kohë për kreativitet” ose “Tani është koha për të eksploruar”.
Jo çdo moment i ditës së një fëmije duhet të jetë produktiv. Me qasjen e duhur, mërzia mund të çojë drejt zbulimeve, eksplorimit dhe aventurës. /Telegrafi/


