Merz pas fitores së AfD-së: Gjermania nuk do ta ndryshojë mbështetjen për Ukrainën
Kancelari gjerman Friedrich Merz ka deklaruar se Gjermania nuk do ta ndryshojë politikën e saj të mbështetjes për Ukrainën, pavarësisht fitores historike të partisë së ekstremit të djathtë, AfD, në zgjedhjet rajonale në Saksoni-Anhalt.
AfD, e cila mban qëndrime dukshëm më miqësore ndaj Rusisë dhe kërkon ndërprerjen e mbështetjes për Ukrainën, fitoi rreth 44 për qind të votave, duke dalë për herë të parë në krye të një zgjedhjeje rajonale gjermane.
Duke folur në një konferencë për media në Berlin, Merz tha se rezultati nuk do ta ndryshojë kursin e qeverisë federale dhe paralajmëroi se Gjermania përballet me një “kërcënim shumë konkret për sigurinë”.
“Dhe dua ta bëj këtë shumë të qartë: 2,500 kilometra në lindje nga këtu, ka njerëz që janë veçanërisht të kënaqur me këtë rezultat zgjedhor”, deklaroi Merz, në një referencë të qartë ndaj Rusisë.
Kancelari gjerman paralajmëroi gjithashtu për “pasoja të tmerrshme” nëse vendi nuk arrin të ruajë sigurinë e tij dhe të mbrojë vlerat demokratike, transmeton Telegrafi.
Fitorja e AfD-së ka shkaktuar tronditje të madhe në politikën gjermane. Megjithëse partia nuk arriti shumicën absolute, rezultati i saj e afron atë me mundësinë për të udhëhequr një qeveri rajonale, diçka që nuk ka ndodhur me një parti të ekstremit të djathtë në Gjermani që nga Lufta e Dytë Botërore.
Merz, ndërkohë, ka përjashtuar bashkëpunimin me AfD-në dhe ka sinjalizuar se “muri politik” ndaj partisë do të mbetet në fuqi. /Telegrafi/


