Me ftesë të presidentit Trump, Osmani në Davos për ceremoninë e themelimit të Bordit të Paqes
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se ndodhet në Davos me ftesë të presidentit amerikan, Donald Trump për ceremoninë e themelimit të Bordit të Paqes.
Osmani në një postim në Facebook ka publikuar pamje nga Davos.
“Mirëmëngjes nga Davos, ku jemi me ftesë të Presidentit Trump, në ceremoninë e themelimit të Bordit të Paqes”, shkruan Osmani.
Ndryshe, një ditë më parë e para e shtetit ka publikuar edhe letrën e presidentit Donald Trump, përmes së cilës është ftuar Kosova që të jetë pjesë e Bordit të Paqes, si anëtare themeluese.
Por, çka është Bordi i Paqes?
Administrata e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ka kontaktuar figura të ndryshme anembanë botës për t'u bërë pjesë e të ashtuquajturit "Bordi i Paqes" dhe në entitete të lidhura me të, të cilat synojnë të mbikëqyrin qeverisjen dhe rindërtimin në Gazën e pasluftës.
Shtëpia e Bardhë tha se do të ketë një bord kryesor, të kryesuar nga vetë Trump, një komitet palestinez teknokratësh, të cilët synojnë të qeverisin territorin e shkatërruar nga lufta, dhe një "bord ekzekutiv" të dytë që duket se është projektuar të ketë një rol më këshillues. /Telegrafi/


