Please enter at least 3 characters.

Marotta deklaron se titulli i kampionit si president i Interit është ëndërr e bërë realitet

Presidenti i Interit, Beppe Marotta, e cilësoi titullin e 21-të në Serie A si një “ëndërr të bërë realitet”, pasi fitorja vendimtare ndaj Parmës e vulosi matematikisht kampionatin për Nerazzurrët.

Në prononcimin e tij për DAZN, Marotta foli për triumfin e parë të tij në kampionat si president i Interit, duke nderuar gjithashtu drejtuesit që kanë lënë gjurmë në historinë e klubit.

“Një lidhje me numrin 21? Është një shenjë që nuk mund të fshihet. Titulli i parë si president? Është ëndërr e bërë realitet. Nuk e kisha imagjinuar kurrë se do ta fitoja një kampionat si president, e aq më pak si president i Interit – kjo është diçka e jashtëzakonshme”, deklaroi ai.

Marotta falënderoi presidentët e mëparshëm të klubit, duke përmendur Massimo Morattin, Giacinto Facchettin, Ernesto Pellegrinin, Angelo Fraizzolin, si dhe Steven Zhangun, ndërsa theksoi se merita kryesore e këtij suksesi i takon trajnerit Cristian Chivu dhe skuadrës.

“Falënderimet e mia shkojnë për presidentët që më kanë paraprirë, shumë më të denjë se unë. Pellegrini, Moratti, Facchetti, Fraizzoli dhe edhe Steven Zhang. Por ky titull i takon Chivus dhe ekipit; falënderoj edhe pronësinë që na ka mundësuar të punojmë me qetësi të madhe”, u shpreh ai.

Ai zbuloi edhe se ndërrimi në stol nga Simone Inzaghi te Cristian Chivu ishte bërë shumë shpejt, duke vlerësuar vendimmarrjen e klubit.

“Ashtu siç shpjegoi Inzaghi, ndërprerja e kontratës ndodhi të hënën dhe të martën ne e kishim zgjedhur tashmë Chivun. Ishte një zgjedhje e guximshme. Chivu e ka fituar Tripletën, ka qenë kapiten i Ajaxit në moshën 21-vjeçare dhe e ka fituar kampionatin Primavera me Interin. E vetmja gjë që i mungonte ishte përvoja, por ai ka cilësi të jashtëzakonshme dhe duhet të qëndrojë te Interi për shumë vite,” theksoi Marotta.

Marotta mbrojti edhe qasjen e klubit për stabilitet, sidomos në një fillim të vështirë të sezonit, duke insistuar se besimi te projekti nuk u lëkund.

“Unë nuk e kam shkarkuar kurrë një trajner; nuk besoj se faji është gjithmonë i trajnerit. Trajneri është themelor, duhet të mbështetet. Disa veprojnë me instinkt, por kjo nuk është rruga jonë – ne mendojmë ndryshe,” deklaroi ai.


Në fund, Marotta nënvizoi ambicien e Interit për të ndërtuar në mënyrë të qëndrueshme pas një sezoni kampion, ku – sipas tij – vendimtare ishin uniteti dhe planifikimi. /Telegrafi/