Loro Cini, katundari me humor "antiparti"
Nga: Pjetër Logoreci
Shkodranve, që e kanë njoftë katundarin prej Rrencit - Loro Cini, i sillen nëpër krye historina e kujtime t’pa shlyeshme për ktë figurë. Lorja ishte i veçantë, por edhe enigmatik për nga mënyra e sjelljes, e t’folunit, e qëndrimit, por ma fort për thumbat e batutat “ideologjike” që i lshonte pa doganë. Flit'te tuj t'prekë me dorë e tuj t'vëzhgue për efektin e fjalve t’tija, aq sa, shumë kush mendonte se ishte “provokator” i futun prej sigurimit për me “peshkue” ndonji kontigjent për burg.
Rastisa nji herë tek artistikja n’Shkoder, ndërsa Lorja me nji calik raki e nji thas me vargje të duhanit t’pa grimë po i drejtohej qytetit.
Ashtu i zhelosun e i ndytë si ishte, ecte e tallej tue përshndetë me grusht njerzit, si t’ishte nji komisar i kuq.
- ... “Më ka ngarkue Partia” ... me i çu n’qytet - thirrte me za t’naltë tuj tregue me gisht ngarkesen “ilegale” që mbante n’shpinë.
Do djelm t’ri, që pritshin daljen e vajzave t’artistikes, filluen me qeshë e me u tallë me katundarin prej Rrencit.
- Afronju, afronju pak t'ju diftoj çka m’ka pas ndodhë dikur ... - na fton Lorja t’gjithve sa ishim aty, tue ba me dorë shenjën e afrimit....
- Ndigjojmë edhe ktu ku jena - po i thotë dikush që e dinte se asht “rrezik” me u afrue, mbasi edhe roja i artistikes prezent aty, ishte nji “fuks” që t’fikte derën.
- Ishin muajt e parë ... kur hynë kta. Bashke me babën po mblidhshim zarzavate n'kopsht, ndërsa nana po vjelte fikun ... - fillon me diftue Lorja mbasi uli ngarkesën n’cep t’asfaltit - kur perbri kopshtit tonë po kalon nji varg me partizan, t’mbluem n’pluhun e t’thame për ujë e bukë...
- A u lodhet? - i lshon za baba si simpatizant i çlirimtares.
Asnji përgjigje, ndërsa nji ma i lodhuni që ishte n’ bisht t’rreshtit u ndal e kërkoi ujë.
I dhamë ujë atij e atyne që u erdhën mbas tij.
- Ndaluni pesë minuta e merrni do fiq me amelcue gojën ... - i lutet baba - gruja sapo ka vjelë fikun.
- Jo, jo, faleminderit. Rroftë Partia ... folën nji gojet n’ecje e sipër ato t’ujit.
- U habitëm, me thanë t’drejtën - vazhdon Lorja - se si ikën ashtu, pa prek asnji kokërr fik. Kaluen vjet, e partia gjithnji “ma e fortë e ma e dashtun”, e tesh "n’saje t’partisë", u bamë edhe na katundarët me dishru fikun e ujin e pishëm. Tash dal me nanën e rrimë n’fresk, buzë nji bunkerit që “na ka ra për hise” para shpie, se kopshtin na e pat marrë koprativa. I tham nanës: A din nanë pse nuk patën marrë asnji kokërr fik ato partizanët atëherë? ... Se e paskan mendue qysh se erdhën, me na i marrë me gjithë rrajë ...
- Mbyll gojën Loro, se goja llap e shpinda dap ... - bërtiti roja mustakoq i artistikes, tuj çu cepin e xhaketës me ju dukë alltija që i kishte dhanë diktatura e proletariatit ...


