Lopez zbulon ndikimin e Messit dhe Iniestës: Më ndihmuan të mos dyshoja kurrë te vetja
Mesfushori i Barcelonës, Fermin Lopez, ka rrëfyer ndikimin që Lionel Messi dhe Andres Iniesta kanë pasur tek ai gjatë viteve të rinisë, veçanërisht në një periudhë kur ai kishte dyshime për shkak të kufizimeve të tij fizike.
Fermin ka treguar se të dy legjendat e Barcelonës ishin një pikë e rëndësishme referimi për të, jo vetëm për sukseset e jashtëzakonshme që arritën në karrierën e tyre, por edhe sepse ai mund të identifikohej me ta për nga aspekti fizik.
“Ata më bënë të kuptoj se të qenit i vogël në shtat nuk do të thotë se duhet të ndihesh inferior”, ka deklaruar ndërkombëtari spanjoll.
Duke parë Messin dhe Iniestën, dy futbollistë me shtat relativisht të vogël që u shndërruan në ndër më të mirët në botë, Fermin fitoi më shumë besim tek vetja dhe besoi se edhe ai mund t’i tejkalonte pasiguritë e tij.
Mesfushori i Barcelonës ka theksuar gjithashtu se një fizik më i vogël mund të sjellë avantazhe të tjera në futboll, veçanërisht sa i përket shpejtësisë së të menduarit dhe marrjes së vendimeve.
“Ata më ndihmuan të mos dyshoja kurrë te vetja dhe të besoja se mund t’i realizoja ëndrrat e mia”, ka shtuar Fermin.
Tashmë, 21-vjeçari është konsoliduar në skuadrën e Barcelonës dhe është rikthyer së fundmi në fushë pas një vere të vështirë, duke synuar të vazhdojë zhvillimin e tij në elitën e futbollit. /Telegrafi/


