Loja me identitetin kombëtar
-Kosova është një toponim gjeografik, një vend i lashtë dardan, ashtu siç është Çamëria, Labëria, Pollogu, Mirdita, etj, ndërsa banorët e saj janë shqiptar. Pas shpalljes së pavarësisë së saj më 17 shkurt 2008 nga Serbia, banorët e saj janë shtetas kosovarë, shumica të kombit shqiptar dhe nacionalitete tjera joshqiptare. Manipulimi me emrin e kombit kosovar nuk është asgjë tjetër vetëm një dokërr e pseudo-intelektualëve dhe pseudopatriotëve të ndryshëm si në Kosovë, por edhe në Shqipëri-
Në kompleksitetin e shoqërisë shqiptare në përgjithësi, padyshim rol të veçantë tani ka zënë edhe loja me identitetit kombëtar shqiptar, e cila konsiderohet si komponenti kryesor i një kombi dhe një shteti.
Pra, përveç kompaktësisë territoriale, gjuhës, kulturës dhe veçorive tjera, formësimi i identitetit kombëtar luan rol vendimtar për zhvillimin dhe mbajtjen e një shteti.
Shtrohet pyetja, çfarë po ndodh kohën e fundit me identitetin tonë shqiptar? Çfarë jemi ne, shqiptarë, kosovarë, maqedonas, serbë, malazezë, amerikanë, kinezë, apo diç tjetër? Këtyre pyetjeve më së miri u përgjigjet tregimi në vijim.
Gjatë vitit 2001, kur regjimi serb nuk arriti të spastroi Kosovën nga shqiptarët, këtë politikë deshi ta zbatonte edhe në Kosovën Lindore (tri komunat shqiptare, si Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Jo rastësisht, gjatë kësaj periudhe qëndrova për tri ditë në Tiranë.
Me të kthyerit nga Tirana për në Qafë-Thanë së bashku me një mik timin që ishte tiranes morëm një furgon dhe çanim rrugën për në kufi. Pasi që në furgon kishte edhe udhëtarë tjerë, në bisedë e sipër mësuam se aty ishte edhe një djalosh nga Struga, por kishte edhe udhëtarë tjerë që udhëtonin për në Peshkopi e Dibër.
Pasi u njoftuam me shoferin e furgonit, ai menjëherë më pyeti? A kosovar je ore vëllaçko, sepse më njohu në të folurit e gegërishtes? Jo, i thashë! Jam shqiptar nga Kosova Lindore, kështu quhet një pjesë e një territori, përkohësisht nën administrimin e dhunshëm serb. Aha! Po, nga atje ku tani po zhvillohen luftime në mes UÇPMB-së dhe forcave serbe më, tha ai. Po, iu përgjigja unë. Më pastaj, ai më prezantoi se këtu me ne është edhe një maqedonc nga qyteti i Strugës.
Me thënë të drejtën më kaploi një frikë e vogël se ndoshta ky farë maqedonci mos po na krijon ndonjë telashe në kufi, sepse ne shihemi si njerëz të dyshimtë. Kështu që për një kohë mbeta pa fjalë. Mendova, ç’kërkon maqedonci në Shqipëri? Më vonë, djaloshi nga Struga filloi të fliste shqip. E pyeta se a jeni shqiptarë, apo maqedoncë? Ai mu përgjigj se është shqiptar nga Struga, por këta tiransat kështu na quajnë neve shqiptarëve të Maqedonisë.
Pak mbeta i habitur nga kjo, sepse nuk isha mësuar të dëgjojë tri lloj interpretimesh për një identik të përbashkët kombëtar shqiptar. Pasi kaluam Qafë-Thanën, së bashku me mikun tim nga Tirana morëm rrugën për në Prishtinë.
Miku im, i cili ishte një djalë i ri dhe mjaft i zoti, që punonte për çështjen e përbashkët filluam ta hapim temën me të cilën ishim përballur më parë në furgon. Ai ishte i mendimit se konceptet çfarë i dëgjuam më herët janë pasojë e një politike të gjatë destruktive dhe komuniste, por jo vetëm kaq. Komunistët për mes ndarjeve të tilla kishin arritur të mbanin nën sundim këtë popull për një kohë të gjatë. Kështu, sipas tyre ishin krijuar pashallëqet shqiptare dhe çdo krahinë kishte nafinë e vet dhe bënin politikë pothuajse fisnore.
Ata nuk mërziteshin fare për ndarjen e këtij kombi në disa pjesë, sepse nuk ishte në interes të tyre të punojnë për bashkim, por vetëm për pushtet.
Në Shqipëri në shumicën e rasteve shqiptarët e Kosovës quhen kosovarë, kjo ishte mbjellë në kokat e shumë prej tyre, të tjerët ose maqedoncë, ose diç ndryshe. Kjo për mikun tim ishte një paradoks që duhet të eliminohet në të ardhmen, por edhe për mua paraqiste një shqetësim.
Ne të dy brengoseshim se kjo ndarje mund të ketë një kosto të lartë për të ardhmen e këtij populli dhe jepnim këshilla që krerët shqiptarë të merren më seriozisht me këtë punë.
Kjo lojë me identitetin shqiptar është deformim kombëtar dhe mund të ketë pasoja të mëdha. Për fat të keq, nga pavarësimi i Kosovës më 17 mars të vitit 2008 në opinion mbarë shqiptar sikur kjo ndarje është duke u thelluar edhe më shumë. Kështu, tani shtetasit kosovarë edhe me dokumente të pranuara ndërkombëtarisht konsiderohen të nacionalitet kosovar. Në letërnjoftimet dhe pasaportat e tyre shkruhet se janë të nacionalitetit kosovarë, askund nuk përmendet emri shqiptar. Ndërsa, në dokumentet e shqiptarëve të Maqedonisë, përveç shtetësisë së Maqedonisë, shkruhet edhe nacionaliteti shqiptar.
Po ashtu, edhe në dokumentet e Serbisë dhe të Malit të Zi shkruhet nacionaliteti shqiptar (albanac). Me gjithë të mirat që ka transformimi i kësaj shoqërie, kjo krizë e identitetit duhet të merret seriozisht nga elitat politike, akademike, intelektuale, e shtetërore.
Si në Shqipëri dhe Kosovë ka mangësi të madhe debatesh lidhur me këtë çështje. Në këto dy vende ka pasur përpjekje të vogla për të filluar debatin lidhur me të, por nuk është vazhduar më. Ndarja në shqiptarë, kosovarë, maqedoncë, e çfarë jo tjetër është një grusht i rëndë i përpjekjeve shekullore të gjithë brezave që kanë sakrifikuar për idealin e bashkimit të këtij kombi.
Kosova është vetëm një toponim gjeografik, assesi një identitet i ri kombëtar. Kosova është një rajon i vjetër dardanë dhe gjithmonë ka qenë pjesë e Shqipërisë normale dhe kurrsesi pjesë e ndonjë vendi tjetër. Ndërsa, shqiptarët tjerë që jetojnë nën administrimin e shteteve fqinje nuk janë as turq, e as çerkezë, por shqiptarë, sepse kështu më parë pretendonin t’i quanin sllavët shqiptarët.
Teza e një grupi politikanësh si në Shqipëri dhe Kosovë se një ditë do të bashkohemi në projektin e Evropës së bashkuar është retorikë demagogjike, sepse është e drejtë natyrore që së pari pjesëtarët e një kombi të njëjtë, që flasin një gjuhë, kanë një prejardhje, zakone, adete të përbashkëta, të bashkohen në mes veti. Edhe ligji i Zotit thotë se vëllai duhet të bashkohet me vëllanë, e më pastaj me fqinj.
Andaj, pjesa e elitës politike dhe intelektuale që mendojnë se ky komb së pari duhet të bashkohet në mes veti, sepse është i njëjtë dhe se identiteti i tij është një dhe i pandarë, pra është shqiptar do të kenë perspektivë politike në të ardhmen. Por, jo vetëm kjo, bashkimi sjell edhe fuqinë, ekonominë, zhvillimin dhe prosperitetin e këtij kombi.
Prandaj, e drejta natyrore dhe hyjnore është në anën e një identiteti dhe të një shteti të përbashkët shqiptar, sepse kjo është ardhmëria më e sigurt për gjeneratat e ardhshme të këtij populli.


