Please enter at least 3 characters.

Logjika e të kritikuarit në shoqërinë tonë

Nxitoj të them që nuk po ndjehem aspak kompetent të shkruaj për këtë temë, por meqë mendimi i mirëfilltë kritik mungon jashtëzakonisht shumë në shoqërinë tonë dhe meqë kritika konsiderohet si pararojë e shoqërisë civile, po marr edhe unë guximin që të reflektoj me logjikën e njëjtë mbi krikëllimat e ndryshme politiko-kritike. Padyshim, është shumë e nevojshme kritika dhe shprehja e lirë e mendimit nga intelektualë dhe njerëz profesional të lëmenjve të ndryshëm, sepse duke ngritur zërin sa më lartë kundër keqpërdorimeve, shoqërisë civile i ruhen vlerat dhe mbrohen interesat e tyre. Në këtë drejtim, rëndësi të veçantë ka edhe mendimi ndryshe nga alternativa tjetër e pushtetit – opozita!

Si në çdo shoqëri tranzicioni edhe tek ne mungojnë institucionet e mirëfillta demokratike dhe instrumentet e kontrollit mbi pushtetin. Mbizotron, po ashtu, një socium me gamë të gjerë problemesh, arsim në nivel të ulët, korrupsion në shkallë të lartë etj. Thënë shkurt, ka mjaftë vend për kritika. Por, pavarësisht problemeve të shumta prapë nuk dëgjohet ndonjë zë i fuqishëm intelektuali që përmes kritikës të kontribuojë në tejkalimin e tyre dhe avancimin e proceseve. Në këtë kontekst vlen të theksohet vetëm kontributi i mediave publike dhe OJQ-ve të ndryshme, si në informimin ashtu edhe në vetëdijesimin dhe emancipimin e shoqërisë.

Subjektet politike opozitare, në të shumtën e rasteve kritikojnë nga mania për të kritikuar dhe shpeshëherë rezultojnë në mënyrë edhe shumë të mangët dhe jopërmbajtësore. Kritikojnë, por nuk e shtjellojnë vështrimin e tyre kritik apo problemin, dhe nuk ofrojnë alternativa të tjera qoftë edhe si rekomandime. Thjeshtë bëjnë kritika që më së shumti iu shërbejnë qëllimeve të veta dhe të rralla janë kritikat me sens të mirëfilltë dhe konstruktive, me të cilat mund të shërbehet edhe vet pozita. Kuptohet, për të mirën e shoqërisë.

Lexojmë shpesh nëpër të përditshmet e ndryshme publicist që në të kaluarën me devocion të madh i kanë shërbyer shoqërisë civile dhe intelektual të dëshmuar se si tani janë veshur me petk partie dhe po mundohen të luajnë rolin e petkalarësit opozitar, duke nxjerr kritika edhe nga "zgafellat" e aleancave të ndryshme, të cilët në lojëra-fjalët e tyre përveç që luajnë me cinizmin dhe ironinë e tyre qesëndisëse, asgjë tjetër nuk thonë. Thuhet që qeverisja e keqe është klub i zhvillimit dhe avancimit të opozitës, dhe një zhvillim i njëanshëm opozitar edhe ka ndodh por vetëm si pasojë e ndërrim-klubit nga anëtarë të grupeve opozitare të ndryshme dhe jo në sajë të qeverisjes së keqe edhe pse kjo është e pranishme. Do të thotë që as qytetarit të rëndomtë, i cili vlerëson sipërfaqësisht, kjo gjuhë kritikuese nuk po ia mbush mendjen. Por, gjithsesi edhe zërat e çjerrë kritik mund të tingëllojnë si trumbeta që të ndarët të bashkohen në aleanca kundër.

Problemi qëndron tek pjesa tjetër, të cilët janë lodhur nga krekosja e qeveritarëve dhe krikëllimat e opozitarëve dhe tani janë zhytur në amulli mendimi sepse nuk po duan të bëhen pjesë e këtyre vorbullave. Janë lodhur nga zërat e çjerrë të cilët jashtëzakonisht shumë ngjasojnë me ato dhentë që obligimin e vet e përmbushin me mekërimat e tyre sepse nuk janë në gjendje të japin asgjë më shumë ngase janë shterpe.

Mendimi kritik është mendim ndryshe dhe ka të bëjë me racionalitetin, me shoshitjen që i bëhet një pune apo një veprimi duke nxjerrë në pah si anët e mira ashtu edhe të metat apo gabimet me qëllim të shmangies dhe përmirësimit. Pra, është pikërisht mendimi kritik ai që gjeneron edhe zgjedhje të tjera dhe ndihmon në marrjen e vendimit adekuat për alternativën më të mirë. Andaj, kritika publike duhet të jetë antipod i paragjykimeve, mashtrimeve, padrejtësive dhe shfrytëzimeve të çfarëdo lloji dhe joshfrytëzim mbi shfrytëzime.

Në shoqërinë tonë, edhe pse kritika e mirëfilltë është arma më e fuqishme me të cilën shoqëria civile mund t’i luftojë keqpërdorimet e ndryshme, ajo mungon shumë ngase mungon edhe kultura e debatit apo rrahja e mendimeve, mungon edhe toleranca në dialog sepse nuk jemi shoqëri e lirë demokratike në kuptimin e mirëfilltë dhe nuk dijmë të pranojmë dhe shohim në kritikë, një dukuri apo një problem nga një këndvështrim tjetër, por ende e shohim dhe përceptojmë atë si armiqësi dhe e marrim si shumë personale. Psikolog të ndryshëm, për gjuhën tonë kritikuese, sigurisht që do kishin thënë se është manifest i shkallës më të ulët të agresivitetit andaj duhet pasur kujdes që të mos bëhemi shkallaqë.