Please enter at least 3 characters.

Lidership vs. udhëheqje… efektive

Nocioni - Lidership ose udhëheqje, tashmë ka përfshirë terminologjinë e përditshmërisë kosovare. Ky nocion i huaj, por “i këndshëm për veshin”, si duket, ka krijuar një vend në mesin e menaxherëve arsimor, apo të çfarëdo fushe qofshin ata.

Por, çka nënkupton ky nocion, sa dhe si duhet të jetë një udhëheqës – “lider” efektiv, është një çështje që kërkon vëmendje dhe përkushtim, në mënyrë që udhëheqja si pjesë e qeverisjes të jetë sa më racionale dhe më vizionare!

Shikuar në përgjithësi, në mesin e menaxherëve dhe administratorëve, udhëheqja definohet si shkathtësi, aftësi apo vetëm si pozitë. Ata, shpeshherë, termin “lider” ose “lidership” vetëm mund ta ndërlidhin me atë se me çka ka të bëj, e jo se çka është dhe sa kërkon angazhim dhe përkushtim! Në anën tjetër, është ky profesion që dëshirohet nga të gjithë, por çështjet më me rëndësi, shpeshherë harrohen!!

Ç’është një udhëheqje efektive? Si duhet të jetë një udhëheqës efektiv?

Mendoj se lidership ose udhëheqje, ndër të tjera, është proces, funksion i menaxhimit, faktor, ose eksperiencë. Është aktivitet që funksionon duke ushtruar ndikim te të tjerët, por së pari duke patur ndikim mbi veten. Pra, udhëheqjen mund ta definojmë edhe si taktikë, apo ndikim, përndryshe, pa këto tipare, nuk do të quhej udhëheqje efektive. Mbi të gjitha është edhe përgjegjësi. Ndërsa, ai që udhëheq është i ashtuquajturi “lider”.

Një lider, duhet të disponojë aftësi – që nënkupton shkallën e përgatitjes, mjeshtërinë për të kryer një veprimtari - dhe shkathtësi – që nënkupton zotësinë dhe zhdërvjelltësinë për të vepruar shpejt dhe me zgjuarsi. Fundja, të dish të veprosh, do të thotë mençuri dhe është rezultat i punës. Gjithashtu, të jesh i efektshëm, duhet të kesh bashkëpunëtorët përreth, kështu që, të frymëzosh ata për të kryer punën mirë, është arritje e udhëheqësit. Këtë e verifikon edhe thënia e Niccolo Machiavellit: “Metoda e parë e vlerësimit të inteligjencës së një udhëheqësi është që të shikohen njerëzit që i ka tubuar rreth vetes”.

Deri sa, zotëron me njerëzit rreth vetes, dhe kur atë që din, nuk e mban por e realizon si duhet, është arritur çelësi i udhëheqësit të suksesshëm, për të plotësuar pastaj atë edhe me cilësitë të cilat përmbushin në çdo pikëpamje karakterin e “liderit” apo udhëheqësit efektiv. Të jetë planifikues i mirë, komunikues i mirë,të jetë kreativ, strateg, të dijë të menaxhojë kohën racionalisht, të nuhasë situatat kaotike dhe të ruajë klimën e këndshme në kolektiv, janë disa nga shkathtësitë që do të duhej të posedonte një “lider”. Njëkohësisht, të jetë në gjendje të transformojë idetë në veprime, të mësojë prej gabimeve, të jetë i hapur ndaj kritikave, të mund të delegojë autoritet, të mund të kuptojë vlerat e diversitetit dhe të ju krijojë të tjerëve mundësi të vendimmarrjes, mendoj, janë disa nga veçoritë përmes të cilave ka plotësuar cilësitë e udhëheqësit efektiv.

Të gjitha këto, që u përmendën më lart, janë ato cilësi pa të cilat një “lider” nuk do të mund të funksiononte, por edhe pa virtyte të larta njerëzore dhe humane, pa shprehi dhe kulturë të lartë pune, pa vizion dhe planifikim, “lideri” do të ishte i përgjysmuar…

Institucionet tona kanë nevojë për udhëheqës të mirëfilltë dhe efektiv. Ato kanë nevojë për udhëheqës që do të jetë nxënës gjatë gjithë jetës, në mënyrë që të jetë në gjendje të bëj ndryshime dhe të jetë EFEKTIV…

(Autorja është master e Pedagogjisë, drejtimi Menaxhimi në Arsimit)