Please enter at least 3 characters.

Letër e hapur e një arkitekti...

...vendimmarrësve në Kosovë - TC Kosova C (Kosova e re)

(Nëse na kanë “çlirua”nga sundimi gati një shekullor serb, nuk do të thotë se duhet të na vrasin ngadalë neve dhe gjeneratat e ardhshme ....... )

Komponenti hapësinorë dhe urbane (lokacioni) nuk është trajtuar si duhet,e ajo është esenciale në tërë procesin e ndërtimit të kapaciteteve të reja energjetike në Kosovë. Cili ekspert i planifikimit hapësinor dhe urban do të lejonte ndërtimin e një përbindëshi të tillë prej 2100 megavat orë (MW) në faza, në afërsi të kryeqytetit Prishtinës dhe vendbanimeve të tjera total të injoruara. Të menduarit dhe planifikimi hapësinor dhe urban duhen me qenë realiste “aq sa e kemi jorganin duhet me i zgjatur këmbët”.

TC “C” apo “Kosova e re” pretendohet të ndërtohet në pjesën ekzistuese te “Kosovës A”;kjo është një çështje fare e pa rëndësishme për vendimmarrësit kosovar. Lokacioni i pretenduar (raporti i VSMS rekomandon ndërtimin në lokacionin e “Kosova A”) do të jetë vetëm vazhdimësi e asaj çka ka ngjarë me vendbanimet afër termocentraleve ekzistuese. Përfitimet e Kosovës janë minimale pos ndotjes së madhe dhe çrregullimeve të pa imagjinueshme në aspektin hapësinor, urban, ekonomik, social, shëndetësor,etj.

Kjo shoqëri ma në fund duhet të kuptoj së jeta normale e banorëve të sajë dhe e gjeneratave të ardhshme nuk duhet kushtëzuar nga disa grupe politike të pa vetëdijshme për pasojat afatgjate të veprimeve të tyre, ndoshta të verbëruar nga përfitimet e mjera personale. Kjo është thellësisht e lidhur me realitetin shqiptar ku disa grupe “ndërkombëtare” me ndihmën e shërbëtorëve (servilëve) shqiptar të Kosovës po tentojnë të veprojnë në emër të ”patriotizmit”, shumë herë të keqpërdorur gjatë shekullit të kaluar dhe shekullit 21.

Kosova në tërësi nga aspekti strategjik duhet të përcaktohet për zhvillim ekologjik por jo për zhvillim ekologjik të kushtëzuar dhe ekstrem por si komponent integruese të zhvillimit të qëndrueshëm i cili është i pranuar nga e tërë bota. Vetëm i marri do të kundërshton zhvillimin e ardhshëm ekonomik të Kosovës e së bashku me te edhe ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike duke respektuar principet e zhvillimit të qëndrueshëm,ku shfrytëzimi i burimeve energjetike ekzistuese është njëri prej parakushteve themelore për zhvillim. Ana financiare e projektit është shumë e rëndësishme.

Shumë mirë ekspertët e fushës energjetike dhe teknologjike janë duke e shpjeguar aspektin ekonomik të ndërtimit të këtyre kapaciteteve energjetike me argumente bindëse e të pa kontestueshme të cilët janë tmerrësisht të dis-favorshme për ne. Ata i shpjeguan nevojat e jona për rrymë, gjithsesi mendimet e tyre profesionale duhet marr në konsideratë. Kështu do të mbroheshin interesat kombëtare të Kosovës e cila as që duhet të pretendon të bëhet fuqi energjetike e rajonit me rezervat e thëngjillit që i ka shumë afër vendbanimeve (qyteteve).

Sot nuk preferohet ndërtimi i kapaciteteve të reja ndotëse në afërsi të vendbanimeve edhe nëse burimet energjetike (thëngjilli) gjenden afër tyre, kosto e shfrytëzimit të tyre do të ishin mospërfillëse në krahasim me pasojat e mëdha që do ti kenë. Në disa shtete me vetëdije të lartë shtetërore ato rreptësishtë janë të ndaluara si ndotës permanent i mjedisit jetësor. Duhet shtruar pyetjen a ka termocentrale të ndërtuara në botë afër vendbanimeve të mëdha (ma pak se 3 km afërsia e kryeqytetit) si është duke u tentuar në Kosovë.

Disa “lobist” të kompanive konkurruese të përzgjedhura për ndërtimin dhe shfrytëzimin e pasurive të Kosovës (4 - 1) me kushte tmerrësisht të jo-favorshme për në të cilët jemi të detyruar të jetojmë këtu po tentojnë në mënyrë të pa skrupull të veprojnë me ndihmën e “shërbëtorëve“ shqiptar.

Nëse na kanë “çlirua”nga sundimi gati një shekullor serb nuk do të thotë se duhet të na vrasin ngadalë neve dhe gjeneratat e ardhshme të kosovarëve këta “lobet e ndryshme” të dyshimta edhe politikisht që qëllimin kryesor i kanë vetëm përfitimet marramendëse.

Lokacioni i propozuar ekskluzivisht është i bazuar vetëm në leverditë përfituese ekonomike duke e harruar së këto lokacione janë caktuar në vitet 60’ dhe 80’ kur Prishtina kishte shumë pak banorë,maksimum njëqindmijë. Sot ky qytet është i mbipopulluar (mbi treqind mijë),numri i banorëve në te si dhe në zonën e atakuar ka pësuar ndryshime drastike. Nga të gjitha anët e Kosovës kemi invadim të pa kontrolluar të banorëve si rezultat i lëvizjeve të pa kontrolluara demografike për kushte ma të mira jete në kryeqytet,me tendenca të zgjerimit marramendës të mëtutjeshëm e këtë duhet marrë në konsideratë.

Nuk mundet askush të bind banorët e Prishtinës,Dardhishtës,Kastriotit me rrethinë për efektet e prodhimit të energjisë me metodat “bashkëkohore” si tentohet të prezantohet ky projekt pasi realiteti është tërësisht ndryshe me pasoja të rënda. Nëse do të veprohet ashtu si e kërkojnë ligjet,rregullat dhe standardët ndërkombëtarë në fushën e planifikimit hapësinor dhe urban atëherë edhe të metat e projektit, jetik për Kosovën dhe ekonomin e sajë do të ishin minimale.

A thua duhemi edhe dhjetëra vite të tjera (40 vite) të “helmohemi” nga këta ndotës nëse zgjedhim lokacionin ekzistues të termocentralit të ri. Kosova ka fuqi financiare të ndërtojë një rrugë të re të qasjes,varësisht nga lokacioni përfundimtar,e jo të propozohen “përjashtime” si veprohet në rastin konkret në raportin e VSMS.

Pa marr parasysh koston e shpenzimeve kapacitetet e reja energjetike duhet vendosur në një zonë ku do të ketë implikime minimale në mjedis,në jetën e njerëzve (sugjerohet transporti i thëngjillit) e për këtë ekzistojnë mundësitë teknike si dhe ato natyrore pasi baseni i linjitit në Kosovë dhe shtrirja e tij e hulumtuar deri me sot,e mundëson këtë. Këtë e kemi obligim së pari ndaj vetvetes e pastaj edhe ndaj gjeneratave të ardhshme pasi jemi në fazën e vendimit me shumë përgjegjësi që duhet marr nga kjo gjeneratë aktuale e vendimmarrësve.

Nëse gjeneratat e kaluara kanë bërë “gabime” gjatë viteve 60 në zgjedhjen e lokacionit ato nuk duhemi t,i përsërisim në shekullin 21. Askush nuk ka të drejt të merr fatin e një populli në duart e veta. Munden të merren edhe vendime të dëmshme politike,ndoshta nën presion të “lobistëve” të ndryshëm,që shkojnë ne damë të Kosovës si ishte kontrata e nënshkruar nga qeveria e kaluar për shfrytëzimin e energjisë elektrike për “Ferronikëlin” në Drenas me një kompani të huaj private. Rasti i “TC Kosova e re”duhet detal të matet me të gjitha elementet substanciale të ekzistencës së popullatës pa cenuar interesin kombëtar pas shumë shekujve e për këto çështje duhet pasur guxim qytetar dhe shtetëror në të gjitha nivelet.

PS.
Këto qëndrime qëllimmira datojnë që nga fillet e idesë për ndërtimin e gjigantit ekonomik në fjalë,që nga vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar.

(Autori është arkitekt i pavarur. Ish-zyrtar i lartë në MMPH në Departamentin e Planifikimit Hapësinor - udhëheqës i Divizionit të Hulumtimeve-Planifikimi Qendror)