Please enter at least 3 characters.

LDK dhe AAK ridizajnojnë koalicionin në Kamenicë

2016/01/f.1024184139103_m.gif

Pas një jave krize në bashkëqeverisje, Lidhja Demokratik e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë pajtuar që të vazhdojnë koalicionin në Kamenicë por me një ridizajnim të marrëveshjes.

Kriza e koalicionit LDK-AAK në Kamenicë u shfaq javën e kaluar kur kryetari Shaip Surdulli shkarkoi nga detyra Ilir Kastratin, drejtor i Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor.

Ky vendim i kryetarit Surdulli nxiti strukturat e AAK-së që të rishqyrtojnë të martën (sot) pozicionin e saj në koalicion, pasi u ndien të keqtrajtuar nga Surdulli të cilit i ndihmuan që të zgjedhet kryetar në zgjedhjet e fundit lokale.

Por duke analizuar gjithë situatën dhe bashkëpunimin e deritashëm, Kryesia e AAK-së vendosi që të vazhdojë qëndrimin në koalicion, por me një marrëveshje të re me LDK-në.

Leci ka konfirmuar arritjen e marrëveshjes së re me LDK-në në Kamenicë.

“AAK ka propozuar që Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor tani e tutje të udhëhiqet nga një drejtor i LDK-së ndërsa AAK si pjesë e koalicionit qeverisës ta marrë nën udhëheqje një drejtori tjetër. Ditëve në vijim bashkë me kryetarin e Komunës do të merremi vesh cilën drejtori do ta udhëheqë AAK”, ka thënë Leci për KosovaTimes.

Pajtimin mes partnerëve të koalicionit e ka konfirmuar edhe kreu i LDK-së dhe i Komunës së Kamenicës Shaip Surdulli.

“Po sot kemi rënë dakord që tash e tutje drejtorinë e Urbanizmit ta udhëheqë një drejtor nga LDK ndërsa AAK ta marrë një drejtori tjetër. Por se cila do të jetë ajo drejtori, mbetet të dihet ditëve në vijim pasi që për këtë çështje duhet ta konsultojmë Kryesinë e LDK-së në një mbledhje që do ta thërras së shpejti”, ka thënë Surdulli.

Ndryshe , drejtori i shkarkuar Ilir Kastrati do të vazhdojë të punojë në profesionin e tij në kuadër të drejtorisë që e ka udhëhequr deri tani. /Telegrafi/