Kusari-Lila për takimin Kurti-Abdixhiku: Shpresojmë në marrëveshje
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila ka deklaruar se vendi duhet të arrijë një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet e reja dhe vonesat institucionale.
Duke folur për takimin e sotëm që pritet të mbahet mes kryetarit të LVV-së, Albin Kurti dhe atij të LDK-së, Lumir Abdixhiku, ajo tha se gjatë gjithë kësaj periudhe, vetëm Lëvizja Vetëvendosje ka paraqitur propozime konkrete për emrin e presidentit, ndërsa sipas saj, nga partitë e tjera nuk ka pasur nisma të qarta për zgjidhjen e çështjes.
“Gjatë gjithë kësaj periudhe kohore ka qenë vetëm Kurti dhe LVV që kanë bërë propozime për emrin e presidentit. Në asnjë rast deri më tani nga të gjitha takimet qoftë me PDK dhe LDK nuk ka pasur propozime apo nismë konkrete për të zgjidhur çështjen e presidentit apo për të dhënë emër konkret për të cilin ne do të mund të jepnim përgjigje”, ka deklaruar Kusari-Lila në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.
Ajo u shpreh optimiste se mund të arrihet një marrëveshje, por theksoi se përgjegjësia për takimet dhe negociatat mbetet te kryeministri Kurti, në cilësinë e kryetarit të LVV-së.
“Prandaj ne të gjithë shpresojmë se do të ketë një marrëveshje, edhe pse kjo është kompetencë drejtpërdrejt e kryeministrit që zhvillon takimet në cilësinë e kryetarit të LVV-së, dhe vendi të evitojë shkuarjen në zgjedhje të reja”, tha ajo.
Sipas saj, zgjedhjet e reja do të sillnin kosto dhe vonesa në funksionimin e institucioneve.
“Zgjedhjet e reja përveç kostos do të kenë vonesa dhe ngecje në funksionet vitale të shtetit tonë”, u shpreh Kusari-Lila.
Ajo shtoi se deri tani përpjekjet për zgjidhje kanë ardhur kryesisht nga njëra palë, ndërsa theksoi nevojën për një qasje më konstruktive nga të gjitha partitë.
“Uroj që të ketë një qasje pozitive, por deri tani kemi parë përpjekje të vazhdueshme vetëm nga njëra anë për të bërë zgjidhje për emrin e presidentit/es”, deklaroi ajo.
Duke iu referuar qëndrimeve të Partisë Demokratike e Kosovës, Kusari-Lila tha se kjo parti pret një ofertë me shkrim, duke lënë të hapur mundësinë për diskutime të mëtejshme.
“PDK, me aq sa kemi dëgjuar, është se pret një ofertë me shkrim. Nëse ftesa duhet të bëhet me shkrim ndoshta edhe mund të bëhet, por gjithsesi duhet të ulen dhe të diskutojnë mbi parimin e zgjedhjes dhe emra konkretë që edhe PDK mund t’i propozojë për president të vendit”, tha ajo.
Në fund, ajo theksoi se vendi ndodhet në një fazë vendimtare për zgjedhjen e kreut të shtetit dhe paralajmëroi për pasojat e mundshme nëse nuk arrihet marrëveshje.
“Jemi në javën finale që duhet të zgjidhet titullari i institucionit më të lartë në vend, para se të ndodhë ajo që nuk e duam, që të shpërndahet Kuvendi dhe vendi të shkojë në zgjedhje”, përfundoi Kusari-Lila. /Telegrafi/


