Please enter at least 3 characters.

​Kurti ritakon, pas 20 vjetëve, ambasadoren suedeze e cila gjithmonë kishte dashur të shërbejë në Kosovë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka pritur në takim, të hënën, ambasadoren e re të Suedisë në Prishtinë, Åsa Pehrson, e cila, siç njofton qeveria, ka thënë se gjithmonë ka dashur të shërbejë në Kosovë.

Ai shprehu mirënjohjen për ndihmën e vazhdueshme që shteti i Pehrson i ka dhënë Kosovës para dhe pas pavarësisë.

“Si një vend mik dhe ndër pesë donatorët tanë më të mëdhenj, Suedia u bë shtëpi e shumë familjeve shqiptare të Kosovës”, tha Kurti, duke përmendur faktin se ky vend strehoi edhe shumë minatorë të Trepçës, pas grevës së vitit 1989.

Ai, po ashtu, përmendi edhe kontributin e mijëra ushtarëve suedezë në kuadër të KFOR-it, sipas një njoftimi të kryeministrisë.

Aty thuhet se në takim u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, tregtar, energjetik dhe në fushën e mbrojtjes ndërsa shtohet se “palët trajtuan gjithashtu zhvillimet politike dhe rajonale”.

Shefi në detyrë i ekzekutivit bëri të ditur se me diplomaten suedeze ishte takuar 20 vjet më parë në Stokholm.