Kurti flet për formimin e institucioneve: Qeveria do të ketë emra të vjetër dhe të rinj
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se janë duke u përgatitur që sa më shpejt të konstituohet Kuvendi i Kosovës dhe të formohet Qeveria e re, meqë sipas tij ekziston urgjencë për miratimin e buxhetit dhe marrëveshjeve ndërkombëtare.
Ai theksoi se buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2026 duhet të përmbyllet brenda muajit shkurt, pasi funksionimi me sistemin e një të dymbëdhjetës nuk mund të vazhdojë edhe në muajin mars.
“Ne po përgatitemi që sa më shpejt ta konstituojmë Kuvendin dhe sa më shpejt ta formojmë Qeverinë, sepse, siç e dini, i kemi tri marrëveshje ndërkombëtare me Bankën Botërore. Njëkohësisht e kemi edhe Planin e Rritjes me Bashkimin Evropian, në vlerë prej 882.6 milionë eurosh, që duhet sa më parë të miratohet në Kuvendin e Republikës, pa harruar edhe buxhetin për vitin 2026”, shtoi ai.
Kurti rikujtoi se Qeveria mund të funksionojë me buxhetin e përkohshëm vetëm deri në fund të muajit shkurt.
“Me një të dymbëdhjetën Qeveria mund të vazhdojë vetëm edhe në muajin shkurt, ndërsa në mars kjo nuk është e mundur. Prandaj, në shkurt duhet ta kemi të përmbyllur buxhetin e vitit 2026,” tha ai.
Duke folur për përbërjen e kabinetit të ri qeveritar, Kurti paralajmëroi se do të ketë vazhdimësi, por edhe ndryshime.
“Do të ketë shumë prej emrave që i kam prezantuar unë dhe Glauk Konjufca në vjeshtën e vitit të kaluar, por kabineti nuk do të jetë identik. Do të ketë edhe emra të rinj", u shpreh Kurti.
I pyetur për postin e presidentit të shtetit, Kurti tha se prioritet mbeten fillimisht konstituimi i Kuvendit, formimi i Qeverisë dhe miratimi i buxhetit, ndërsa më pas do të ecet edhe drejt hapit të katërt.
“Së pari duhet t’i përmbyllim këta tre hapa, e pastaj do të ecim edhe me hapin e katërt mbarë e mirë", përfundoi Kurti. /Telegrafi/


