Kur vrastarja pritet si heroinë!
Në vitin 1992, kur njësit paramilitare të Arkanit e pastruan etnikisht qytetin e Bijelinës në Bosnje dhe Hercegovinë, e denuara e Tribunalit të Hagës, ish-presidentja e Republikës serbe të BeH Biljana Pllavshiq erdhi dhe i dha një puthje Zhelko Razhnjateviq-Arkanit. Ajo këtë e bëri në shenjë falenderimi për “çlirimin” e një “qyteti serb” nga muslimanët e Bosnjës dhe Hercegovinës.
Biljana Pllavshiq ishte profesoreshë e biologjisë pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës në Sarajevë, një grua e cila fliste disa gjuhë botërore, por ajo iku nga puna e pedagogut për t’ju bashkangjitur forcave të Radovan Karaxhiqit dhe Ratko Mlladiqit. Prej vitit 1996. deri në vitin 1998, ishte presidente e Republikës serbe të BeH.
Gjatë agresionit ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës, si funksionere e lartë politike, vrasjet e muslimanëve i shpjegonte si “gjë e natyrshme”. Për ta shpjeguar më qartë psiqiken e të denuarës Pllavshiq, do të veçonim njëren prej deklaratave më të “lehta” të saj, e cila të bindë se për të asgjë nuk ka rëndësi. Tani janë 12 milionë serb, le të vdesin gjashtë milionë. Prapë, ajo pjesa tjetër do të kënaqët me frytet e punës dhe të luftës – deklaronte vrastarja Pllavshiq.
Tribunali i Hagës i ngriti një akuzë ish-lideres serbe të BeH për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime të luftës të bëra ndaj boshnjakëve dhe kroatëve gjatë agresionit në Bosnje dhe Hercegovinë. Ajo në janar të vitit 2001, iu dorëzua vullnetarisht Gjykatës së (pa) drejtësisë në Hagë (ICTY). Me aftësitë e saja dhelprave, bëri një marrëveshje më gjykatën, ku Pllavshiq deklaron se “i vije keq” për bëmat e saja, dhe me këtë ajo akuzohet vetëm për spastrim etnik në 37 komuna të Bosnje dhe Hercegovinës.
Gjykatësit e Gjykatës ndërkombëtare për krime në ish-Jugosllavi me seli në Hagë, vrastares Pllavshiq i besojnë dhe i japin një dënim prej 11 vjet burg, duke i shpëtuar dënimit minimal me 30 vjet burg për gjenocid.
Pasi mbajti dy të tretat e dënimit në burgun e Hinsbergut në Suedi, vrastarja Biljana Pllavshiq lirohet dhe udhëton për në Beograd me një avion të organizuar enkas për të nga kryeministri aktual i Republikës Serbe të BeH, Millorad Dodik. Vendimin për të dërguar një avion të Republikës Serbe për të marrë vrastaren Pllavshiq nga burgu i Suedisë e kishte dhënë vet Dodik.
“Ajo ka shkuar vullnetarisht dhe unë isha ai i cili e përcolli, njëkohësisht e kam konsideruar si obligim njerëzor që të njëjtën gjë ta bëjë kur edhe erdhi.”, pohonte lideri aktual i serbëve të BeH Millorad Dodik gjatë pritjes në Beograd.
Biljana Pllavshiq me të arritur në Beograd në pyetjen e gazetarëve se kur do ta vizitonte Banja Llukën, ajo u shpreh se këtë do ta bëjë shpejt ngase ka shumë miq me të cilët do të takohet. Ardhja e saj në Banja Llukë konsiderohet me të drejt nga boshnjakët dhe kroatët e Bosnjës dhe Hercegovinës si tragjedi me të cilën edhe një herë u jepet viktimave një thikë në zemër. Këtyre popujve ajo u solli gjatë viteve ’92-’95 tragjedia të përmasave të mëdha, duke shkaktuar vrasjen e mijëra qytetarëve joserbë. Nga ana tjetër, për pritjen e saj lideri aktual i Serbëve të BeH Millorad Dodik, ka paralajmëruar një pritje të veçantë.
Kur Biljana Pllavshiq ateroi në Beograd, asnjëri nga zyrtarët e Republikës së Serbisë nuk i bëri pritje. Këtë gjë ata nuk e bënë, jo pse distancohen nga bëmat e saja, por për shkak se shteti serb pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtar të Drejtësisë në Hagë, e cila Serbinë nuk e gjeti si agresore ndaj Bosnjës dhe Hercegovinës, është me i kujdesshëm.
Dora e zgjatur e Serbisë, entiteti Republika serbe në BeH edhe më tutje vazhdon avazin e vjetër karshi Bosnjës dhe Hercegovinës. Qëllimi i Republikës së Serbisë është që agresionin e viteve ’92-’95 në BeH tenton t’a prezantojë si luftë civile.
(Autori është analist dhe hulumtues i pavarur)


