Please enter at least 3 characters.

KRU “Prishtina”: Ndërprerja e papritur e energjisë në ITU Shkabaj pritet të ndikojë në furnizimin me ujë në Fushë Kosovë dhe lagjen Kalabria

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka njoftuar se ndërprerja e paplanifikuar e energjisë elektrike në Impiantin e Trajtimit të Ujit (ITU) në Shkabaj pritet të shkaktojë probleme në furnizimin me ujë për një pjesë të konsumatorëve.

Sipas njoftimit të kompanisë, energjia elektrike është ndërprerë sot rreth orës 11:00, pa ndonjë paralajmërim paraprak nga KEDS.

Si pasojë, pritet të ketë ndikime në furnizimin me ujë për konsumatorët në Komunën e Fushë Kosovës dhe në lagjen Kalabria në Prishtinë.

KRU “Prishtina” ka bërë të ditur se, bazuar në informacionet e marra, rikthimi i energjisë elektrike pritet të bëhet rreth orës 15:00.

Kompania thekson se ndërprerjet disaorëshe të energjisë elektrike ndikojnë në funksionimin e sistemit të ujësjellësit.

“Mungesa e energjisë elektrike për disa orë e destabilizon furnizimin me ujë dhe shkakton vështirësi në sistem”, thuhet në njoftim.

KRU “Prishtina” ka shprehur shqetësim edhe për faktin se ndërprerja e energjisë, sipas saj, është bërë pa asnjë njoftim paraprak nga ana e KEDS-it. /Telegrafi/