Please enter at least 3 characters.

Kriza e ëmbël e Zvicrës: Për shkak të rritjes drastike të çmimeve, zviceranët po blejnë më pak çokollatë

Zvicra është atdheu i çokollatës dhe në botë njihet me markat ikonike si Toblerone, Cailler dhe Lindt & Sprüngli. Në asnjë vend tjetër të botës njerëzit nuk konsumojnë më shumë çokollatë se në Zvicër. Mund të thuhet se çokollata është pjesë e identitetit kombëtar zviceran. Megjithatë, kjo industri që dikur lulëzonte dhe shënonte vetëm suksese, po përballet me një krizë: zviceranët po blejnë gjithnjë e më pak çokollatë të prodhuar në vendin e tyre.

Sipas të dhënave të fundit, konsumi për kokë banori vitin e kaluar ra në 10,3 kilogramë, duke shënuar një rënie prej 2,7 për qind krahasuar me vitin paraprak. Ky trend negativ po godet veçanërisht çokollatat e kategorisë premium, të cilat po mbeten gjithnjë e më shumë pa u shitur në raftet e supermarketeve, shkruan gazeta “Tages Anzeiger”.

Arsyeja kryesore për këtë ndryshim në sjelljen e konsumatorëve është e thjeshtë: çokollata është bërë shumë e shtrenjtë. Ky shtrenjtim po ndihet fort edhe te lideri i tregut, Lindt & Sprüngli. Kompania i ka ngritur çmimet aq shumë gjatë viteve të fundit, saqë si pasojë ka shënuar një rënie të ndjeshme në shitjen e çokollatave. Prodhimi i Lindt & Sprüngli pësoi një rënie prej 6,6 për qind gjatë vitit 2025.

Me rënien e shitjeve po lufton jo vetëm Lindt, por e gjithë industria zvicerane e çokollatës. Rritja e të hyrave është realizuar vetëm si rezultat i ngritjes së çmimeve, pasi sasia reale e shitur ka rënë sërish për 7,9 për qind, duke zbritur në 192’500 tonelata.

Shtrenjtimi ndodhi edhe për shkak të rritjes së çmimit të kakaos në tregjet ndërkombëtare. Kjo rritje ishte veçanërisht e lartë vitin e kaluar, ku sipas shifrave zyrtare të qeverisë zvicerane, çmimi i çokollatës në Zvicër u rrit me 10 për qind.

Situata po paraqitet e vështirë edhe në tregun e jashtëm, i cili përbën gati tri të katërtat e të gjithë biznesit të çokollatës zvicerane. Eksportet shënuan rënie gjatë vitit 2025, ndërsa viti 2026 po tregon shenja të një përkeqësimi edhe më të thellë. Vetëm në tremujorin e parë të këtij viti, eksportet e çokollatës zvicerane ranë me 14 për qind, çka dëshmon për një tkurrje serioze të kërkesës jashtë vendit.